E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

AFRIKË E JUGUT – Zelensky kërkon më shumë presion ndaj Rusisë

PRETORIA, 24 prill /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri thirrje për veprim të përbashkët ndërkombëtar për të rritur presionin ndaj Moskës për arritjen e paqes, gjatë vizitës së tij në Afrikën e Jugut, e cila u ndërpre nga një sulm raketor rus në Kiev.

Zelensky u takua me homologun e tij afrikano-jugor, Cyril Ramaphosa, duke i bërë thirrje vendit të përdorë mandatin e tij si kryetar i Grupit 20 (G20) për të promovuar stabilitetin global dhe për të mbrojtur jetët njerëzore.

Udhëheqësi ukrainas i dorëzoi Ramaphosas një listë me 400 fëmijë ukrainas të dyshuar të rrëmbyer në Rusi dhe bëri thirrje për mbështetje ndërkombëtare për të siguruar riatdhesimin e tyre në Ukrainë.

Ramaphosa tha se kohët e fundit ai foli me presidentin amerikan Donald Trump për procesin e paqes në Ukrainë dhe donte të takohej së shpejti me Trump për bisedime.

Në një postim në X, Ramaphosa tha gjithashtu se kishte një telefonatë me presidentin rus Vladimir Putin në fillim të kësaj jave, duke thënë se “të dy u zotuan të punojnë së bashku drejt një zgjidhjeje paqësore të konfliktit Rusi-Ukrainë”.

“Afrika e Jugut është e gatshme të vazhdojë të mbështesë të gjitha përpjekjet shumëpalëshe të besueshme dhe gjithëpërfshirëse që synojnë arritjen e një paqeje të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”, shtoi ai.

Zelensky shkroi gjithashtu në X se ai dhe Ramaphosa “diskutuan rëndësinë e bashkimit të përpjekjeve globale sa më shumë që të jetë e mundur tani për të bërë presionin e nevojshëm ndaj Rusisë, presion për hir të paqes”./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›