FOKUS – Superliga e Evropës hyn në arkivat e historisë

BRUKSEL, 11 shkurt /ATSH-DPA/ – Superliga Evropiane është tashmë pjesë e historisë, pasi UEFA dhe “Real Madridi” arritën një marrëveshje për t’i dhënë fund një mosmarrëveshjeje gati pesëvjeçare.
“Reali” dhe presidenti i tyre Florentino Perez ishin ndër arkitektët kryesorë të projektit të shkëputjes, i cili përfshinte edhe “Gjashtëshen e Madhe” të Premier Ligës, kur u prezantua në prill 2021.
Kontingjenti anglez u tërhoq brenda disa ditësh mes presionit të tifozëve dhe qeverisë, por “Reali” dukej se ishte ende i lidhur me projektin dhe ishte i përfshirë në veprime ligjore kundër organit drejtues të futbollit evropian, UEFA-s, për shkak të përpjekjeve të tij për të bllokuar formimin e garës, duke kërkuar miliarda euro kompensim.
“Barcelona” njoftoi tërheqjen në fundjavë dhe tani “Reali” ka njoftuar se ka rënë dakord për një marrëveshje paqeje.
Një deklaratë nga “Real Madridi” thoshte se “pas muajsh diskutimesh të mbajtura në dobi të futbollit evropian, UEFA, Klubet Evropiane të Futbollit dhe ‘Real Madridi’ njoftojnë se kanë arritur një marrëveshje në parim për të mirën e futbollit evropian të klubeve, duke respektuar parimin e meritës sportive dhe duke theksuar qëndrueshmërinë afatgjatë të klubeve dhe duke përmirësuar përvojën e tifozëve përmes përdorimit të teknologjisë”.
“Kjo marrëveshje në parim do të shërbejë gjithashtu për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre ligjore në lidhje me Superligën Evropiane, sapo të zbatohet një marrëveshje përfundimtare”, shtonte deklarata./ /Ad.Ab./ a.jor.