E Diel, 1 Nëntor 2026

Radonshiqi: Rritja e kreditimit pasqyron një ekonomi më dinamike, turizmi ka ndikimin kryesor

TIRANË, 11 shkurt /ATSH/ Sistemi bankar shqiptar vijon të paraqitet i qëndrueshëm dhe me standarde të konsoliduara në administrimin e riskut, në një periudhë ku ekonomia po shfaq sinjale zhvillimi dhe rritje të kërkesës në treg.

Ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi vlerëson se si bizneset, ashtu edhe familjet shqiptare kanë hyrë në një fazë më të kujdesshme dhe më të strukturuar të menaxhimit financiar.

Sipas saj, institucionet bankare kanë forcuar mekanizmat e kontrollit dhe analizës së riskut, duke ruajtur stabilitetin e sistemit, ndërsa bizneset po tregojnë maturi më të madhe në administrimin e të ardhurave dhe orientimin e investimeve.

Radonshiqi thekson se edhe individët kanë reflektuar nga përvojat e viteve të kaluara, duke treguar sot më shumë kujdes në marrjen e angazhimeve financiare. “Ka një ndërgjegjësim më të madh për mënyrën se si menaxhohen të ardhurat dhe detyrimet. Stabiliteti financiar sot është më i dukshëm si te bizneset, ashtu edhe te familjet”, u shpreh ajo.

Ekspertja evidenton se bizneset reagojnë të parat ndaj zhvillimeve ekonomike dhe ndryshimeve në treg. Megjithatë, ajo nënvizon se rritja e sektorit të turizmit ka dhënë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë vendase, veçanërisht në tregun e pasurive të paluajtshme.

Sipas saj, zgjerimi i aktivitetit turistik dhe rritja e kërkesës kanë sjellë shtim të kredive hipotekore, të cilat po përdoren jo vetëm për strehim, por edhe si instrument financiar për investime dhe zhvillim biznesi.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për blerje banesash për qëllime familjare, por edhe për investime që lidhen me aktivitetin ekonomik, sidomos në zona me potencial turistik”, theksoi Radonshiqi, duke shtuar se kjo prirje pasqyron një treg më dinamik dhe një qasje më të strukturuar ndaj financimit.

Referuar statistikave, në fund të vitit 2025 totali i kredisë së dhënë nga bankat u rrit në 9,4 miliardë euro, nga 8,3 miliardë euro që ishte në fund të vitit 2024. Ndërsa raporti i kredive me probleme shënoi rënie në nivelin më të ulët historik 3,8% në fund të vitit të kaluar, duke zbritur me 0,37% me bazë vjetore, sipas të dhënave të BSh-së.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›