E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

FOKUS – Tregjet evropiane mbyllen pozitivisht, pavarësisht kërcënimeve tarifore të Trump

FRANKFURT, 10 shkurt /ATSH-DPA/ – Tregjet evropiane u mbyllën kryesisht pozitivisht sonte, pasi investitorët u larguan nga kërcënimet tarifore të presidentit amerikan Donald Trump, duke zgjedhur të rrisin stoqet, mes optimizmit për më shumë lehtësim monetar nga Banka Qendrore Evropiane.

Investitorët janë në pritje të të dhënave kryesore të inflacionit nga SHBA, më vonë këtë javë, si dhe dëshminë në Kongres të shefit të FED, Jerome Powell, për të marrë të dhëna rreth perspektivës për normat e interesit.

Trump tha gjatë fundjavës se do të shpallte tarifa të reja prej 25% për të gjitha importet e çelikut dhe aluminit, duke rritur frikën e një lufte tregtare globale dhe ndikimin e saj të mundshëm në ekonominë globale.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha se BE-ja është e përgatitur të përgjigjet “brenda një ore” nëse SHBA vendos tarifa për mallrat evropiane.

Trump deklaroi gjithashtu se ai do të shpallte tarifat reciproke të martën ose të mërkurën që pasqyrojnë tarifat që ato vende vendosin për eksportet amerikane.

Mes mungesës së të dhënave të freskëta nga rajoni, investitorët në masë të madhe u përmbajtën të bënin lëvizje të rëndësishme.

Kështu, Stoxx 600 fitoi 0,58%, FTSE 100 e Mbretërisë së Bashkuar u ngjit me 0,77%, DAX i Gjermanisë u mbyll me 0,57% më lart dhe CAC 40 i Francës përfundoi me 0,42% më lart, ndërsa LSI i Zvicrës u vendos me një rritje prej 0,27%.

Ndër tregjet e tjera në Evropë, Austria, Belgjika, Finlanda, Holanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Spanja dhe Suedia u mbyllën pozitivisht.

Danimarka, Greqia, Islanda, Irlanda dhe Turqia përfunduan me shifra negative./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›