E Enjte, 5 Nëntor 2026

FOKUS – Uashingtoni: Bisedimet e armëpushimit në Gazë “konstruktive”

UASHINGTON, 23 gusht /ATSH-DPA/ – Uashingtoni është optimist për negociatat në vazhdim të armëpushimit në Rripin e Gazës, sipas John Kirby, drejtor i komunikimit i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së.

Kirby tha se bisedimet “konstruktive” u zhvilluan dje në Kajro dhe do të vazhdojnë gjatë fundjavës. Ai hodhi poshtë raportet që sugjeronin se negociatat ishin “pranë kolapsit”.

Ai nuk dha detaje por theksoi rëndësinë e ruajtjes së vrullit në ditët në vijim.

“Ne duam të shohim të njëjtin lloj vrulli, të vazhdojmë këtu gjatë dy ditëve të ardhshme, por nuk mendoj se do të ishte e dobishme për mua të hyja në detajet e tij”, tha ai.

Shefi i CIA-s, William Burns dhe koordinatori i Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme, Brett McGurk po marrin pjesë gjithashtu në bisedime.

Kirby përsëriti mbështetjen e Uashingtonit për Izraelin në lidhje me kërcënimet e mundshme nga Irani, duke thënë se fokusi ishte në mbrojtjen dhe sigurimin e një marrëveshjeje.

“Uashingtoni po vazhdon të monitorojë një sulm të mundshëm të Iranit çdo ditë. Ne nuk kemi parë ende një sulm, natyrisht, por nuk po marrim asgjë si të mirëqenë”, shtoi ai.

Ai theksoi rëndësinë e bisedimeve në Kajro.

Ekziston frika se një dështim në ndërmjetësimin midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës mund të çojë në një përshkallëzim më të madh në Lindjen e Mesme.

Shpresohet se një përparim mund të parandalojë një sulm të rëndësishëm hakmarrës nga Irani kundër Izraelit pas vrasjes së fundit të një komandanti ushtarak të Hezbollahut në Liban dhe një udhëheqësi të Hamasit gati tre javë më parë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›