TEL AVIV – Izraeli u bën thirrje banorëve të Gazës të largohen përpara sulmeve

TEL AVIV, 23 gusht /ATSH-DPA/- Ushtria izraelite u ka bërë thirrje banorëve të disa lagjeve në pjesën veriore të Gazës që të largohen, përpara një operacioni të ri ushtarak pas sulmeve të përsëritura me raketa.
“Njerëzit duhet të shkojnë në strehimore në perëndim të qytetit të Gazës”, sipas një apeli të lëshuar nga një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) – në arabisht.
Mes bombardimeve të vazhdueshme, IDF ka planifikuar të ndërmarrë veprime kundër Hamasit islamik palestinez dhe organizatave të tjera terroriste atje.
Organizatat e ndihmës janë gjithnjë e më kritike ndaj thirrjeve të përsëritura të IDF-së për civilët në Rripin e Gazës që të largohen.
“Urdhërat e vazhdueshme të evakuimit po rraskapitin familjet në Gazë dhe po pengojnë masivisht ndihmën për shpëtimin e jetës”, tha Martin Frick, kreu i zyrës të Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, në Berlin.
Pothuajse të gjithë në Gazë janë zhvendosur nga urdhrat e evakuimit të njëpasnjëshëm që nga tetori 2023.
“Në përgjithësi, rreth 86% e brezit bregdetar të sulmuar është një zonë evakuimi”, tha ai. “Vetëm në gusht, thirrjet e shumta për të ikur prekën një çerek milion njerëz. Disa familje po ikin për të dhjetën herë”, shtoi ai.
IDF tha se dy predha u lëshuan nga Rripi verior i Gazës në drejtim të qytetit kufitar izraelit të Sderot në mbrëmjen e djeshme. Njëra u kap, ndërsa tjetra u ul në një zonë të hapur. //a.i/