FOKUS – Ukraina tronditet nga një skemë korrupsioni miliardere në energjinë bërthamore

KIEV, 11 nëntor /ATSH/- Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës thuhet se po heton një skemë korrupsioni në shkallë të gjerë në sektorin e energjisë së vendit, që përfshin operatorin shtetëror të energjisë bërthamore, “Energoatom”, sipas “Euronews”.
“Një hetim 15-mujor dhe 1,000 orë përgjime rezultuan në 70 bastisje”, sipas agjencisë.
“Ukraina ka nisur një hetim të madh për korrupsion të dyshuar në shkallë të gjerë në sektorin e energjisë së vendit”, njoftoi Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit (NABU).
“Aktivitetet e një organizate kriminale të nivelit të lartë janë dokumentuar”, tha sot agjencia në një deklaratë.
Sipas NABU-së, e cila po kryen hetimin në bashkëpunim me Zyrën e Prokurorit të Specializuar Kundër Korrupsionit (SAPO), grupi i përfshirë ngriti një skemë të madhe korrupsioni për të kontrolluar ndërmarrjet kryesore shtetërore, duke përfshirë “Energoatom”, agjencinë shtetërore të energjisë bërthamore të Ukrainës.
Byroja kundër Korrupsionit raportoi se grupi po mblidhte ryshfete nga kontraktorët e “Energoatom”, që arrinin në 10-15% të vlerës së secilës kontratë.
“Në fakt, menaxhimi i një ndërmarrjeje strategjike me të ardhura vjetore prej mbi 4 miliardë eurosh nuk u krye nga zyrtarë, por nga të jashtëm që nuk kishin autoritet formal”, tha NABU në një deklaratë.
Përgjimet e publikuara dyshohet se zbulojnë zërat e Ihor Myroniuk, ish-këshilltar i Ministrit të atëhershëm të Energjisë, Herman Halushchenko, dhe Dmytro Basov, ish-prokuror dhe ish-kreu i departamentit të sigurisë fizike të “Energoatom”.
Myroniuk shërbeu gjithashtu si ndihmës i ish-ligjvënësit ukrainas në arrati Andrii Deerkach, i cili ka shërbyer si senator rus që nga viti 2024.
NABU tha se Myroniuk dhe Basov në mënyrë efektive morën kontrollin e të gjitha blerjeve të kompanisë.
Një nga individët që dyshohet se janë përfshirë në këtë rast u identifikua si Timur Mindich, një ish-partner biznesi i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky. //a.i/