E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

FOKUS – Zelensky akuzon Putinin se zgjat luftën për të shmangur negociatat

KIEV, 29 janar /ATSH-AA/ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi presidentin rus Vladimir Putin për “zgjatjen e qëllimshme të luftës” për të shmangur negociatat dhe për të mbajtur paqëndrueshmërinë në rajon.

“Sot, Putin konfirmoi edhe një herë se ai ka frikë nga negociatat, ka frikë nga liderët e fortë dhe bën gjithçka që është e mundur për të zgjatur luftën”, shkroi Zelensky në X, duke shtuar: “Çdo lëvizje që ai bën dhe të gjitha truket e tij cinike synojnë ta bëjnë luftën të pafund”.

Teksa tani ekziston një mundësi për të arritur paqe të qëndrueshme, Zelensky tha se Putini po punon ose për të vazhduar sulmet në shkallë të gjerë, ose për të siguruar një pauzë të përkohshme për t’u përgatitur për agresionin e ardhshëm.

Ai u bëri thirrje liderëve botërorë të mësojnë nga gabimet e së kaluarës, duke paralajmëruar se Putini mbetet një kërcënim i rëndësishëm për stabilitetin global.

“Kjo është arsyeja pse ne duhet të veprojmë me vendosmëri dhe unitet, të gjithë ata që kanë guximin të besojnë në paqe dhe t’i afrohen paqes me forcë”, theksoi Zelensky, duke shtuar: “Paqja e vërtetë është e mundur nëse Rusia detyrohet të bëjë paqe”.  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›