FOL: Ligji i Prokurimit pamundëson transparencën
Sipas koordinatorit të projektit, Armend Pajaziti, “versioni i ri i ligjit, i aprovuar në gusht të vitit 2011, përsëritë shumicën e të metave të ligjit të mëhershëm”. Më tej, ai ka shtuar se “ky ligj është ende larg standardeve të BE-së në fushën e prokurimit publik, gjë që e konfirmon edhe Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për vitin 2011”.
Ndërkaq, analisti ligjor në këtë lëvizje, Admir Salihu, duke vënë në pah dobësitë e shumta të këtij ligji, ka theksuar se “pothuajse asnjë nga rekomandimet e shoqërisë civile nuk është marrë parasysh nga ana e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës”.
Sipas tij, “një nga çështjet problematike që e cenon drejtpërdrejt zbatimin e parimit të proklamuar të transparencës në aktivitetet e prokurimit është edhe pika që flet për përjashtimet e aktiviteteve të caktuara të prokurimit (neni 3, paragrafi 1)”. Më tej, ai ka potencuar se “ky ligj i jep mundësinë Qeverisë që të përjashtojë nga fushëveprimi i këtij ligji aktivitetet e caktuara të prokurimit, me çka vihet në dyshim transparenca e shpenzimit të parasë publike të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.
Ndërkaq, duke folur për paqartësitë e shumta që e karakterizojnë fushëveprimin e institucioneve kryesore të prokurimit, KRPP-së dhe OSHP-së, ai ka pohuar se “duhet të rishikohen kompetencat e institucioneve të prokurimit publik, duke qenë se ekziston një konfuzion i madh në mesin e KRPP-së dhe OSHP-së, se cili është interpretuesi përfundimtar. /indeksonline/