FOL kritikon abuzimin me autoritetin publik
Lëvizja FOL ka mbajtur debat me temën “Fuqizimi i dialogut ndërinstitucional në luftën kundër abuzimit me autoritetin publik”.
Armend Pajaziti, nga kjo lëvizje, tha se raportet e institucioneve të pavarura shpeshherë bëjnë vetëm bujë mediatike për disa ditë. Sipas tij, ato mbesin vetëm raporte dhe nuk iniciohen masa për të përmirësuar gjendjen.
Ndërkaq, Ardian Ajvazi, nga Komisioni për Ndihmë Juridike, theksoi nevojën e bashkëpunimit ndërinstitucional si mënyrën më të mirë për të pasur rezultate të suksesshme.
Sipas tij, mungesë bashkëpunimi ka edhe me institucione të tjera, siç është Këshilli Gjyqësor, i cili nuk ka lejuar që Komisioni për Ndihmë Juridike të ofrojë asistencë juridike edhe për raste penale.
Petrit Zogaj, menaxher i programeve në Lëvizjen FOL, shpjegoi arsyet e realizimit të këtij projekti nga ana e Lëvizjes.
“Duke pasur parasysh se Institucioni i Avokatit të Popullit është kategori kushtetuese dhe ka mandatin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe luftën kundër abuzimit me pushtetin, kemi realizuar takime dhe debate nëpër komuna për të diskutuar rolin dhe punën e këtij institucioni, kemi realizuar një fushatë multimediale për të promovuar këtë institucion”, tha Zogaj.