E Diel, 1 Nëntor 2026

FOTO-EMRI/ “Babi im, nuk është e mundur…”, humb jetën 53-vjeçari shqiptar në Itali

Një 52-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në një aksident në punë në Modena, Itali.

Viktima, Murat Tafçiu, ka rënë nga një skelë në një kantier ndërtimi në qendrën historike të qytetit, rreth orës 08:45 të mëngjesit të djeshëm.

Ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje, por ai kishte ndërruar jetë në vend si pasojë e plagëve të rënda.

Çfarë ndodhi

Ngjarja ndodhi ditën e enjte, rreth orës 08:45, gjatë punimeve restauruese në ndërtesën historike të ish-Bankës së Italisë, pranë gjykatës.

Tafçiu, i cili jetonte prej kohësh në Cavezzo, po punonte në anën e rrugës “via Carmelitane Scalze”, në një kantier të menaxhuar nga një kompani ndërtimi, ndërsa ai ishte i punësuar nga një firmë nënkontraktore.

Sipas të dhënave paraprake, 53-vjeçari ndodhej mbi një skelë rreth 2 metra lartësi, ku po kryente një ndërhyrje në një pjesë dekorative të ndërtesës. Papritur, një pjesë e madhe e kornizës së murit, rreth 1.5 metra, u shkëput dhe i ra sipër.

Goditja e fortë e rrëzoi nga skela, duke i shkaktuar një dëmtim të rëndë në kokë. Ai humbi ndjenjat menjëherë.

Kolegët dhanë alarmin dhe në vendngjarje mbërritën menjëherë ambulanca dhe ekipi mjekësor. Pavarësisht përpjekjeve për ta rikthyer në jetë, mjekët u detyruan të konstatonin vdekjen rreth orës 09:30.

Tragjedia, familja në lot: “Babi im, nuk është e mundur…”

Dhimbja e familjarëve ishte rrëqethëse, veçanërisht e vajzës së tij, e cila për orë të tëra thërriste mes lotësh: “Babi im, babi im! Nuk është e mundur…”.

Vajza e tij nuk reshti së qari, duke thirrur babanë e saj mes dëshpërimit, në një moment që u bë edhe më i rëndë pasi ngjarja ndodhi pikërisht në Ditën e Babait, më 19 mars.

Edhe vëllai i viktimës dhe të afërm të tjerë, përfshirë tre fëmijët e tij, u shfaqën të shkatërruar nga dhimbja për humbjen e papritur të një njeriu që ishte shtylla e familjes. Ata qëndruan pranë vendit të ngjarjes deri në mesditë, derisa trupi u largua për ekzaminime të mëtejshme.

Reagon bashkia

Kryetari i Bashkisë së Modenës, Massimo Mezzetti, shprehu ngushëllimet për familjen dhe kolegët e viktimës, duke theksuar se një humbje e tillë është shumë e rëndë dhe duhet të shërbejë si reflektim për të gjithë.

“Jemi përballë një tjetër humbjeje në vendin e punës, që tregon urgjencën për të garantuar kushte më të sigurta në çdo ambient pune. Nuk duhet të mësohemi me këto ngjarje”, shkruan ndër të tjera ai.

Tafçiu, banues në Cavezzo, la pas katër fëmijë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›