FOTO/ Nga kujtesa historike te fuqia bërthamore, dronë, raketa dhe lazer në paradën ushtarake të Pekinit

Kina shfaqi gjithë fuqinë e saj ushtarake gjatë paradës së mbajtur në Pekin në nder të 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ku të pranishëm ishin Presidenti rus, Vladimir Putin, udhëheqësi i Koerësë së Veriut Kim Jong Un, presidenti serb Aleksandër Vuçiq dhe mbi 20 krerë shtetesh dhe qeverish të huaja.
Dronë nënujorë, raketa masive, armët lazer dhe automjete pa pilotë u shfaqën në paradë, si një shenjë force e Kinës në një moment kur fërkimet me Uashingtonin po shtohen.
ICBM me rreze të gjatë veprimi
Në një përmirësim të dukshëm të teknologjisë ushtarake të Kinës, raketa balistike ndërkontinentale (ICBM) DF-5C u zbulua gjatë paradës. Sipas “Global Times”, DF-5C është i aftë të godasë kudo në Tokë.
Armët kolosale bërthamore me lëndë djegëse të lëngshme, pjesë e serisë së raketave “Dongfeng” të vendit, kaluan përpara turmave të mbledhura që brohorisnin në Sheshin Tiananmen në qendër të Pekinit.
Dron nënujor
Parada paraqiti dy automjete të reja nënujore pa pilot, jashtëzakonisht të mëdha, në formë torpedoje (AJX002 dhe HSU100) të vendosura sipër kamionëve.
Raketa supersonike
Gjithashtu, nëpër Sheshin Tiananmen u shfaqën katër raketa të reja kundër anijeve, YJ-15, YJ-17, YJ-19 dhe YJ-20. “YJ” është shkurtim për “Ying Ji”, që do të thotë “sulm me shqiponjë”.
Raketat mund të lëshohen nga anije ose avionë dhe janë të projektuara për të shkaktuar dëme kritike në anije të mëdha. Modelet YJ-17, YJ-19 dhe YJ-20 mund të jenë hipersonike, që do të thotë se ato mund të fluturojnë të paktën pesë herë më shpejt se shpejtësia e zërit.
Armët me lazer
Ajo që gjeneroi shumë bujë përpara paradës ishte një armë e fuqishme e reklamuar nga një llogari X e lidhur me ushtrinë kineze si “sistemi më i fuqishëm i mbrojtjes ajrore me lazer në botë”.
Të ashtuquajturat “armë me energji të drejtuar” mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme me saktësi të lartë.
Automjete pa pilot
Përveç dronëve nënujorë, në ekspozitë ishin edhe disa automjete pa pilot, duke përfshirë anije sipërfaqësore që mund të përdoren në operacione ushtarake detare.
Droni sipërfaqësor mund të “pajiset me ekuipazh opsional për të lundruar brenda dhe jashtë porteve” dhe ka të ngjarë të jetë i destinuar për luftë kundër minave.
Disa avionë pa pilot dhe automjete tokësore u shfaqën gjithashtu gjatë paradës së të mërkurës.
Radar
Në qiell, avionë të pajisur me radar fluturonin mbi paradë, duke shfaqur aftësitë e mbikëqyrjes së vendit.
Debutimin e tij publik e bëri avioni i paralajmërimit të hershëm KJ-600.
KJ-600 është projektuar për përdorim në transportuesit e avionëve dhe pritet të hyjë në shërbim në anijen Fujian të Kinës në muajt e ardhshëm.
/rtsh.al/