Aksidentet me vdekje nga shoferët e dehur, ekspertët: Vepra të klasifikohet si vrasje me paramendim

Teksa numri i aksidenteve me pasoja të rënda ka shënuar rritje, sidomos gjatë muajit gusht, ekspertët e sigurisë rrugore kërkojnë klasifikimin si vrasje me paramendim për çdo drejtues automjeti që shkakton aksident duke e drejtuar mjetin në gjendje të dehur.
Teksa diskutohen ndryshimet e Kodit të Ri Penal, eksperti i sigurisë rrugore, Fatmir Hasho, thotë se kjo masë duhet zbatuar, pasi në rrugë janë më shumë se 500 kamikazë, siç i konsideron ai drejtuesit e automjeteve që tregojnë papërgjegjshmëri gjatë drejtimit të mjetit.
“Një njeri i cili ka pirë pa fund, shkon e merr makinën dhe e ndez, atëherë ai ka marrë kallashnikovin në dorë për të vrarë njerëz. Pra duhet të quhet vrasje me dashje. Nëse nuk do të kalojnë në teste psikologjike, këta drejtues mjetesh, atëherë nuk kemi gjë në vijë. Ne sot, e them me shumë përgjegjësi, kemi 500–600 kamikazë në rrugë, të cilët nuk po i ndalojmë dot”, thotë eksperti Hasho.
Sipas tij, duhet të aplikohet edhe heqja e lejes së drejtimit për çdo drejtues mjeti që shkel rëndë rregullat e qarkullimit rrugor.
“Duhet të kthehemi atje ku ishim, tek ato normat e rrepta: heqjen e lejes së drejtimit për të gjitha shkeljet e rënda, duke filluar nga përdorimi i alkoolit/drogës, parakalimi i gabuar, tejkalimi i shpejtësisë dhe pastaj heqjen e pikëve të patentës”, sugjeron eksperti.
Lidhur me numrin e aksidenteve që u regjistruan gjatë sezonit të verës, eksperti Hasho thotë se jemi përballur me ngjarje të dhimbshme.
“Intensiteti i humbjeve të jetës ka qenë ndoshta më i dukshëm, sepse edhe mënyra e aksidenteve ka qenë më e dhimbshme”, thekson eksperti.
Nga muaji janar deri në korrik u regjistruan 767 përplasje, me 1.077 të plagosur dhe viktima.
Gjatë muajit korrik u regjistruan 131 aksidente, në të cilat humbën jetën dhe u plagosën rëndë 194 persona, ndërsa në muajin gusht u regjistruan 13 viktima në rrugë.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/