Pasioni për gjuetinë, Arben Cungu dhe tradita familjare brez pas brezi

Gjuetia është një traditë e vjetër që ka shoqëruar breza të tërë, duke u kthyer për shumëkënd në pasion dhe mënyrë të veçantë të jetesës në natyrë.
Edhe për Arben Cungun ky pasion ka një histori të hershme, që shënoi fillimin e rrugëtimit të tij si gjuetar.
“[Tregon fotot…] Sabri Cungu, Jakup Bajri dhe Ymer Zmijani… Ky është një pasion familjar i prindërve tanë, i babës, i gjyshit, i katragjyshit… rreth shtatë breza sipas tregimeve. Unë e ushtroj prej 45 viteve, qysh në vitin 1980, kur unë kam marrë autorizimin e parë të blerjes së armës së gjahut,” tregon z. Cungu.
Përvojat janë të shumta. Mes tyre ka kujtime që e bëjnë gjuetinë edhe më të veçantë.
“Çdo ditë e një gjuetari profesionist është një ditë dhe një kujtim i veçantë. Ajo fillon qysh në përgatitjen për daljen në gjueti, me aksesorët, me veshjet, me fishekët, me zagarët. Të gjitha pajisjet,” thotë ai.
Çdo gjuetar ka sekretet e tij dhe Arbeni na rrëfen ato që, sipas tij, e çojnë drejt një gjuetie të suksesshme.
“Sekreti është te zgjedhja e terrenit të përshtatshëm, ditës së përshtatshme, fishekëve, çiftes, zagarit,” thekson ai.
Për të gjuetia nuk është thjesht një sport, por një ndjenjë e fortë dhe një lidhje e ngushtë me natyrën.
“Gjuetia për mua është gjithçka. Është pjesë e jetës, adrenalinë më vete, dalje në natyrë, oksigjen i pastër, jetë e shëndetshme. Për sa të më ndalojë Zoti në këmbë them që do ta vazhdoj gjuetinë pa u ndalur,” shprehet gjuetari.
Për Arben Cungun pasioni për gjuetinë mbetet një rrugëtim i gjatë i mbushur me kujtime, sfida dhe dashuri për natyrën.
Gazetare: Blerta Cina
/rtsh.al/