E Shtunë, 31 Tetor 2026

FOTO REPORTAZH: Përleshjet e banorëve në Mamëz të Kukësit me forcat speciale

Share

Një kompani e forcave speciale e nisur nga Tirana, është përleshur sot me banorë të fshatit Mamëz në Kukës, për shkak të kundërshtimit të tyre për grabitjen e tokës nga një kompani minerare, e licencuar jashtë rregullave sipas tyre. Banorët thonë se firma është pajisur me një leje të paligjshme dhe po shkatërron mjedisin, rrugët dhe zonën e tyre.

Por, pas kundërshtimeve, në fshat kanë mbërritur forcat speciale. Banorët akuzojnë se pas firmës është zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Pone, që ka urdhëruar forcat speciale, pasi ai ka lidhje me drejtues lokal të pushtetit në Kukës dhe njerëz të përfshirë në këtë biznes. Ndërkohë, drejtuesi i forcave speciale, Shemsi Prençi, nuk ka qenë dakord me këtë urdhër. Një korrespodent i shtypit në Kukës ka biseduar me zotin Prençi dhe ka dëgjuar prej tij konsideratat personale kundër përfshirjes së forcave speciale në këtë aksion. Minierat nuk ruhen me forca speciale, ato i ka marr mafia, citohet Prençi nga korrespondenti i shtypit që ishte në vendngjarje.

Në zonat mineralmbajtëse të rrethit të Kukësit nuk kanë të sosur konfliktet mes firmave private dhe komunitetit. Pas mineralit të kromit, edhe hekur-nikeli, mjaft i kërkuar në tregun ndërkombëtar, ka futur në sherr një kompani private të kërkimit dhe të nxjerrjes të mineralit në masivet e Mamzit në Kukës me banorët e zonës.

Prej disa vitesh banorët e zonës janë në konflikt me kompanitë e ndryshme që shkojnë e gërmojnë hekur-nikel me pretendimin se po u prishet mjedisi dhe rrugët, si dhe kanë mungesë në dokumentacion.

Fshatarët janë konfliktuar ditët e fundit në mënyrë të përsëritur edhe me një nga kompanitë për të cilën pushteti vendor dhe policia thonë se ka licencë për shfrytëzim të mineralit të hekur-nikelit. Kjo kompani ka bërë kallëzim në prokurori, mbi bazën e të cilit, policia ka shoqëruar para disa javësh dy banorë të fshatit, vëllezër me njëri-tjetrin, me akuzën se kanë penguar punën në një aktivitet të licencuar. Ndalimi i tyre është bërë shkak që dhjetëra banorë të fshatit Mamëz të qëndrojnë me orë të tëra përpara komisariatit të policisë së Kukësit në shenjë proteste për lirimin e dy vëllezërve Demnushi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›