E Diel, 1 Nëntor 2026

FOTOGALERI/ Atmosferë festive në “Fan Zone”, Rama: Tirana Europiane në një natë botërore

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga atmosfera e krijuar në “Fan Zone”-n e ngritur në qendër të Tiranës, ku qindra qytetarë dhe turistë ndoqën gjysmëfinalen e Kupës së Botës mes Argjentinës dhe Anglisë.

“Tirana Europiane në një natë botërore”, shkroi Rama, teksa publikoi momente nga sheshi i mbushur me tifozë, të cilët ndoqën me emocion sfidën dhe festuan fitoren e Argjentinës.

“Fan Zone”, e vendosur në zemër të kryeqytetit, mblodhi së bashku sportdashës vendas dhe vizitorë të huaj, duke krijuar një atmosferë festive me brohoritje, duartrokitje dhe flamuj, ndërsa ndeshja u transmetua në ekran gjigant.

Mbajtësja e titullit, Argjentina, siguroi kualifikimin në finalen e Kupës së Botës pasi mposhti Anglinë me rezultatin 2-1. Dy golat vendimtarë u shënuan në minutat e fundit të takimit, duke vulosur suksesin e ekipit argjentinas pas një përballjeje të fortë dhe plot rivalitet.

Në finalen e turneut, Argjentina do të përballet me Spanjën. Ndeshja për trofeun do të zhvillohet të dielën në stadiumin “MetLife” në East Rutherford, Nju Xhersej, me fillim në orën 21:00.

/gj.m/ /a.g/

Fotoreporter: Andrin Hoxha

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›