E Diel, 1 Nëntor 2026

UKRAINË – Zelensky propozon kreun e kompanisë shtetërore të energjisë si kryeministër të ri

KIEV, 16 korrik /ATSH-DPA/- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky propozoi dje në mbrëmje drejtorin e kompanisë shtetërore të energjisë “Naftogaz”, Sergii Koretskyi, për postin e kryeministrit të ri të vendit.

Kryetari i Parlamentit ukrainas, Ruslan Stefanchuk njoftoi në Facebook se kandidatura e Koretskyi është depozituar në parlament.

Stefanchuk nuk bëri të ditur se kur do të zhvillohet votimi në Verkhovna Rada (Parlamenti i Ukrainës), por ai pritet të mbahet që sot.

Zelensky deklaroi të dielën se po planifikonte një riorganizim të qeverisë, për të forcuar marrëdhëniet e Ukrainës me partnerët kryesorë ndërkombëtarë.

Ndryshime pritet të ketë edhe në Ministrinë e Mbrojtjes. Sipas raportimeve, ministri Mykhailo Fedorov, i cili thuhet se ka pasur mosmarrëveshje me Shtabin e Përgjithshëm të ushtrisë, mund të largohet nga detyra që mori në janar.

Në një postim në Facebook, Fedorov duket se konfirmoi largimin e tij, duke shkruar se ishte “një nder i madh t’i shërbeja popullit ukrainas” si ministër i Mbrojtjes.

Media ukrainase, duke cituar burime anonime, raportoi se posti i ministrit të Mbrojtjes i është ofruar ministrit të Brendshëm, Ihor Klymenko.

Parlamenti pranoi të martën dorëheqjen e kryeministres Yulia Svyrydenko dhe të kabinetit të saj, pas rreth një viti në detyrë.

Meqenëse partia e Zelensky, Shërbëtori i Popullit, gëzon shumicën në parlament, presidenti ka mbështetjen e nevojshme për këtë riorganizim të qeverisë.

Sipas Kushtetutës së Ukrainës, presidenti propozon kandidatët për ministrin e Mbrojtjes dhe ministrin e Jashtëm, ndërsa kandidati për kryeministër propozohet nga koalicioni qeverisës.

Ky është ndryshimi i dytë i kryeministrit, që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në shkurt 2022.

Nëse Fedorov zëvendësohet, do të jetë edhe ndryshimi i katërt në postin e ministrit të Mbrojtjes gjatë kësaj periudhe. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›