FOTOT- U bllokuan në kanionet e Nivicës, shpëtohen 7 turistë spanjollë

Një grup prej 7 turistësh spanjollë kanë ngelur të bllokuar për disa orë në kanionet e Nivicës, Tepelenë. Është dashur ndërhyrja e policisë dhe shërbimeve të emergjencës për evakuimin e tyre.
Grupi i turistëve spanjollë ishte duke eksploruar zonën malore të Nivicës, ku për shkak të humbjes së orientimit mbeti i bllokuar në zonën e kanioneve.
Sipas gazetarit të RTSH-24, pas marrjes së njoftimit, policia lokale dhe shërbimet e emergjencës kanë punuar për lokalizimin e tyre. Pasi është identifikuar zona ku kishin mbetur të bllokuar, grupi i turistëve, policia dhe shërbimet zjarrfikëse ndërhynë duke bërë të mundur edhe evakuimin e tyre nga zona malore, e cila ka një reliev të thepisur.
“Shtatë shtetas spanjollë të rinj janë nxjerrë në mënyrë të sigurt nga kanioni i Peshturës, në jug të Shqipërisë, pas një incidenti që ndodhi rreth 100 metra në thellësi të tij. Sipas informacioneve nga terreni, të gjithë ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe ndërhyrja e shërbimeve të emergjencës po shkon drejt përfundimit. Tre prej tyre hasën vështirësi gjatë zbritjes në një ujvarë të vogël, ku litarët e përdorur për sigurimin ishin dëmtuar, duke bërë të pamundur kthimin e tyre pa ndihmë teknike. Fatmirësisht, nuk ka raportime për dëmtime fizike. Në vendngjarje ndërhynë ekipet e zjarrfikësve dhe policisë nga Tepelena dhe Gjirokastra, të cilat bënë të mundur lokalizimin dhe shpëtimin në kohë të turistëve. Grupi po eksploronte kanionin pa praninë e një guide të licencuar, çka rriti rrezikun në këtë terren të vështirë. Ngjarje të tilla janë përsëritur më herët në rajon, sidomos në kanionet e Nivicës dhe Langaricës, ku mungesa e orientimit profesional ka çuar në situata të rrezikshme për vizitorët. Ky rast njëherazi risjell në vëmendje nevojën për orientim profesionale për sigurinë e turistëve në zona të rrezikshme natyrore.”, informon gazetari i RTSH-24.
/rtsh.al/