“Tym i bardhë” nga Lindja e Mesme/ Trump njofton marrëveshjen për çarmatosjen e plotë të Hamasit: Hap historik drejt paqes në Gaza

Hamasi dhe fraksione të tjera palestineze kanë miratuar një dokument që përcakton planin për çarmatimin e tyre në Rripin e Gazës, në një zhvillim që presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi si “një hap monumental” drejt paqes dhe sigurisë.
Sipas dokumentit, të siguruar nga Al Jazeera, brenda 14 ditësh do të hartohet një plan i detajuar për procesin e çarmatimit, i cili do të mbikëqyret nga një mekanizëm ndërkombëtar verifikimi dhe do të kërkojë miratimin e të gjitha palëve.
Anëtari i delegacionit negociator të Hamasit, Ghazi Hamad, deklaroi se negociatat kanë qenë të vështira, por theksoi se organizata nuk do ta zbatojë marrëveshjen nëse Izraeli nuk respekton detyrimet e tij, përfshirë tërheqjen nga Gaza dhe avancimin e procesit të rindërtimit. Deri më tani, Izraeli nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj marrëveshjes.
Sipas planit, procesi do të nisë me vendosjen në Gaza të një Komiteti Kombëtar palestinez dhe të një Force Ndërkombëtare Stabilizimi. Fillimisht do të bëhet inventarizimi dhe depozitimi i armëve, ndërsa më pas do të çaktivizohen armët e rënda. Dokumenti parashikon që armët të mos i dorëzohen Izraelit apo ndonjë entiteti tjetër jopalestinez, por të administrohen vetëm nga Komiteti Kombëtar.
Zyrtarë të Bordit të Paqes, organi i krijuar për mbikëqyrjen e administrimit të Gazës, konfirmuan se Hamasi dhe grupet e tjera të armatosura do t’i dorëzojnë armët këtij komiteti. Ndërkohë, përfaqësuesi i lartë i Bordit për Gazën, Nickolay Mladenov, tha se marrëveshja është rezultat i muajve të tërë negociatash të vështira dhe se sfida më e madhe mbetet zbatimi i saj.
Presidenti Trump deklaroi se, pas përfundimit të çarmatimit, Izraeli do të tërhiqet nga Gaza dhe siguria do të garantohet nga një Forcë Ndërkombëtare Stabilizimi në bashkëpunim me një forcë të re policore palestineze. Ai shtoi se Gaza do të administrohet nga një qeveri e re palestineze që, sipas tij, do t’i shërbejë qytetarëve.
Negociatat mes Hamasit dhe ndërmjetësve nga Egjipti, Katari dhe Turqia janë zhvilluar në Kajro, ndërsa priten bisedime të tjera për të siguruar zbatimin e fazës së dytë të armëpushimit. Megjithatë, grupi Xhihadi Islamik Palestinez ka shprehur rezerva ndaj formulimit të dokumentit dhe ka deklaruar se raportimet për një marrëveshje përfundimtare nuk janë plotësisht të sakta.
Analistët vlerësojnë se përdorimi në dokument i termit “inventarizim dhe depozitim i armëve”, në vend të “çarmatim”, është një formulim që synon të lehtësojë pranimin e marrëveshjes nga fraksionet palestineze, duke shmangur dorëzimin e armëve drejtpërdrejt tek Izraeli.
Trump njofton marrëveshjen për çarmatosjen e plotë të Hamasit: Hap historik drejt paqes në Gaza
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Bordi i Paqes ka arritur një marrëveshje historike për çarmatimin e plotë të Hamasit dhe të gjitha grupeve të tjera të armatosura në Gaza, duke e cilësuar atë si një hap të madh drejt paqes dhe sigurisë afatgjatë.
Në një deklaratë të publikuar prej tij, Trump tha se marrëveshja përbën një pikë kyçe në zbatimin e Planit të tij me 20 pika për Gazën, duke parashikuar që territori të administrohet nga një qeveri e re palestineze që do të bashkëpunojë me Bordin e Paqes.
“Ky është një hap kritik drejt një Gaza që më në fund do të qeveriset nga një qeveri e re palestineze, e cila do të punojë ngushtë me Bordin e Paqes për të ndihmuar popullin palestinez. Në të njëjtën kohë, Izraeli do të ketë sigurinë që meriton, me një Gaza që nuk do të përdoret më si bazë për sulme terroriste”, deklaroi Trump.
Sipas tij, marrëveshja do të zbatohet në faza të strukturuara. Me përfundimin e procesit të çarmatimit, forcat izraelite do të tërhiqen dhe Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit, në bashkëpunim me një forcë të re policore palestineze, do të marrë përgjegjësinë për sigurinë në Gaza.
Trump falënderoi ndërmjetësuesit nga Egjipti, Katari dhe Turqia, si dhe ekipin e tij negociator, për atë që e cilësoi si një arritje historike.
“Një vit më parë kishte një luftë të dhunshme, krizë humanitare dhe pengje të mbajtura në robëri brutale. Kemi bërë përparim historik, por ende ka shumë punë për të bërë”, u shpreh presidenti amerikan.
Ai theksoi se kërcënimi i krijuar pas sulmit të 7 tetorit nuk do të lejohet të rikthehet.
“Kërcënimi që doli nga Gaza më 7 tetor nuk do të lejohet të rindërtohet”, deklaroi Trump.
Në fund të deklaratës së tij, presidenti amerikan e përshëndeti marrëveshjen duke e cilësuar një zhvillim që shumë e konsideronin të pamundur.
“Urime të gjithëve për këtë zhvillim të jashtëzakonshëm, për të cilin të gjithë thanë se nuk mund të arrihej kurrë”, përfundoi Trump.