E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

FRANCË – Cikloni “Chido” shkakton qindra të vdekur në Mayotte

KEJPTAUN, 16 dhjetor /ATSH/ – Numri i të vdekurve në territorin francez, Mayotte për shkak të ciklonit “Chido”, mund të shkojë në mijëra, tha zyrtari më i lartë i qeverisë së ishullit, sipas AP.

Franca angazhoi ekipet e shpëtimit dhe furnizimet për territorin e saj të varfër jashtë shtetit në Oqeanin Indian.

“Mendoj se ka disa qindra të vdekur, ndoshta do të arrijmë në mijëra, duke pasur parasysh shkatërrimin e gjerë të kësaj ngjarje”, tha prefekti i Mayotte, François-Xavier Bieuville.

Sipas tij, ky ishte cikloni më i keq që kishte goditur Mayotte në 90 vjet.

Bieuville tha se ishte jashtëzakonisht e vështirë për të vlerësuar një numër të saktë të vdekjeve dhe plagosjeve – pasi Mayotte u godit nga cikloni intensiv tropikal të shtunën, duke shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturën publike, duke përfshirë aeroportin dhe duke ndërprerë furnizimet me energji elektrike.

Ministria e Brendshme franceze konfirmoi dje në mbrëmje të paktën 11 vdekje dhe më shumë se 250 të plagosur, dhe se pritej të rritej ndjeshëm.

Mayotte në Oqeanin Indian jugperëndimor në brigjet e Afrikës është ishulli më i varfër i Francës dhe territori më i varfër në Bashkimin Evropian.

Mayotte ka një popullsi prej mbi 300 000 banorë të shpërndarë në dy ishuj kryesorë.

Bieuville tha se shkatërrimi më i keq ishte parë në lagjet e varfra dhe strukturave informale që përfshijnë pjesën më të madhe të Mayotte.

Cikloni “Chido” shpërtheu në Oqeanin Indian jugperëndimor të premten dhe të shtunën, duke goditur gjithashtu ishujt e afërt të Komoros dhe Madagaskarit.

“Chido” shkaktoi erëra mbi 220 km/h, sipas shërbimit francez të motit, duke e bërë atë një ciklon të kategorisë 4, i dyti më i fortë.

Presidenti francez, Emmanuel Macron tha se “mendimet” e tij ishin me njerëzit e Mayotte.

Ministri i Brendshëm Bruno Retailleau do të udhëtojë sot në Mayotte.

Retailleau paralajmëroi të shtunën në mbrëmje pas një takimi urgjent në Paris se numri i të vdekurve do të ishte i lartë, ndërsa kryeministri i ri François Bayrou, i cili mori detyrën të premten, tha se infrastruktura ishte dëmtuar rëndë në të gjithë Mayotte.

Papa Françesku u lut për viktimat gjatë një vizite të dielën në ishullin francez të Korsikës në Mesdhe. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›