E Hënë, 2 Nëntor 2026

FRANCË – Ish-presidenti Sarkozy lirohet nga burgu pas tre javësh

PARIS, 10 nëntor /ATSH/- Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy është liruar nga burgu, tre javë pas një dënimi me 5 vjet burg për pjesëmarrje në një komplot kriminal, sipas BBC.

Ai do t’i nënshtrohet mbikëqyrjes së rreptë gjyqësore dhe do t’i ndalohet të largohet nga Franca përpara një gjyqi në apel që do të mbahet vitin e ardhshëm.

Më 21 tetor, ish-presidenti i qendrës së djathtë, 70 vjeç, u dënua me pesë vjet burg për komplot. Ai u akuzua për financimin e fushatës së tij zgjedhore të vitit 2007 me fonde të diktatorit të ndjerë libian, Muamar Gadafi.

Ekipi i tij ligjor paraqiti menjëherë një kërkesë për lirimin e tij.

Duke shkruar në rrjetet sociale pas lirimit, Sarkozi tha se energjia e tij ishte përqendruar vetëm në qëllimin e vetëm për të vërtetuar pafajësinë e tij.

“E vërteta do të triumfojë… Fundi i historisë ende nuk është shkruar”, tha ai.

Makina e Sarkozisë u pa duke dalë nga burgu “La Santé” në Paris para orës 15:00 – më pak se një orë e gjysmë pasi një gjykatë pranoi lirimin e tij të parakohshëm.

Më pas, ish-presidenti francez u pa duke mbërritur në shtëpinë e tij, në Parisin perëndimor.

Christophe Ingrain, një nga avokatët e Sarkozy, e përshëndeti lirimin e klientit të tij si “një hap përpara” duke shtuar se tani do të përgatiteshin për gjyqin e apelit që pritej në mars.

Një kusht për lirimin e Sarkozisë është që ai të mos kontaktojë asnjë dëshmitar tjetër në të ashtuquajturën “dosja libiane” ose ndonjë punonjës të Ministrisë së Drejtësisë.

Gjatë burgosjes së tij, ai u vizitua nga ministri i Drejtësisë, Gérald Darmanin.

Vizita i tij nxiti 30 avokatë francezë të ngrinin një padi kundër Darmanin, duke e quajtur konflikt interesi, duke qënë se ai ishte një ish-koleg dhe mik i Sarkozy.

Duke folur në një gjykatë në Paris nëpërmjet një lidhjeje me video sot në mëngjes, Sarkozy e përshkroi kohën e tij në izolim si “rraskapitëse” dhe “një makth”.

Ai tha se nuk e kishte pasur kurrë “idenë e çmendur” për t’i kërkuar para Gadafi-t dhe deklaroi se nuk do të pranonte kurrë diçka që nuk e kishte bërë.

Bashkëshortja e Sarkozy, këngëtarja dhe modelja Carla Bruni-Sarkozy, dhe dy nga djemtë e ish-presidentit ishin të pranishëm në sallën e gjyqit për ta mbështetur atë.

Sarkozy është ish-lideri i parë francez i vendosur pas hekurave që nga Lufta e Dytë Botërore.

Udhëheqësi kolaboracionist nazist Philippe Pétain u burgos për tradhti në vitin 1945.

Sarkozy ishte president nga viti 2007 deri në vitin 2012. Që kur u largua nga detyra, ai është ndjekur nga hetime penale dhe për muaj të tërë dhe është detyruar të mbajë një përgjues elektronik rreth kyçit të këmbës – pas një dënimi dhjetorin e kaluar lidhur me përpjekjen për të korruptuar një gjyqtar për informacion konfidencial në lidhje me një çështje të veçantë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›