FRANCË – Macron do të emërojë shpejt pasardhësin e kryeministrit Bayrou

PARIS, 8 shtator /ATSH-AFP-DPA/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron u njoh me rënien e qeverisë së François Bayrou-së, të rrëzuar nga Asambleja Kombëtare, dhe do të emërojë një kryeministër të ri në ditët në vijim, njoftoi Pallati Elize në një deklaratë sot në mbrëmje.
“Presidenti i Republikës u njoh me rezultatin e votimit nga deputetët në përputhje me nenin 49-1 të Kushtetutës. Ai do të presë nesër kryeministrin François Bayrou për të pranuar dorëheqjen e qeverisë së tij”, deklaroi presidenca, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Asambleja Kombëtare rrëzoi sot qeverinë e kryeministrit francez, François Bayrou.
Deputetët rrëzuan kryeministrin François Bayrou duke i refuzuar një votë besimi me shumicë të qartë, në një votim që ai e kishte kërkuar vetë mbi gjendjen e financave publike.
Siç pritej dy javë më parë, 364 deputetë, nga partitë opozitare duke filluar nga ”Tubimi Kombëtar” (Rassmblement National”) deri te Fronti Kombëtar Francez (LFI), votuan kundër votëbesimit ndaj kryeministrit, ndërsa 194 deputetë nga koalicioni qeverisës votuan pro.
”François Bayrou, kreu i parë i qeverisë së Republikës së Pestë, që u rrëzua me një votë besimi, do t’ia paraqesë dorëheqjen e tij presidentit, Emmanuel Macron nesër në mëngjes”, sipas njërit prej bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë.
Humbja e pritur gjerësisht nuk erdhi si surprizë, pasi opozita kishte sinjalizuar qëllimin e saj për të mos mbështetur qeverinë e pakicës së Bayrou-së për planet e saj të kursimit.
Bayrou, në detyrë për më pak se nëntë muaj, kishte pasur vështirësi të çonte përpara ato që ai i konsideron si reforma të nevojshme urgjentisht, ndërsa Franca përballet me borxh qeveritar në rritje dhe nivele të shpenzimeve publike që janë ndër më të lartat në Evropë.
Macron pritet të pranojë dorëheqjen e Bayrou-së, por t’i kërkojë atij të qëndrojë në detyrë derisa të gjendet një pasardhës./ a.jor.