E Hënë, 2 Nëntor 2026

REPUBLIKA ÇEKE – BIS shkatërron një rrjet spiunazhi në favor të Bjellorusisë

PRAGË, 8 shtator /ATSH-AFP/ – Shërbimi sekret çek, BIS, njoftoi se kishte shkatërruar, në bashkëpunim me shërbimet homologe hungareze dhe rumune, një rrjet spiunazhi për Bjellorusinë duke çuar në një dëbim dhe arrestim.

”Ministria e Jashtme çeke dëboi një diplomat bjellorus të lidhur me këtë rrjet të ndërtuar nga shërbimi sekret bjellorus, KGB”, tha BIS në një deklaratë.

“Një ekip i përbashkët oficerësh evropianë identifikoi punonjës dhe bashkëpunëtorë të KGB-së që vepronin në disa vende evropiane, përfshirë një ish-zëvendëskryetar të shërbimit sekret moldav, SIS” tha BIS.

”Burri, një moldav, i dorëzoi informacion të klasifikuar KGB-së. Ai u arrestua në Rumani”, theksoi BIS.

Sipas Njësisë së Bashkëpunimit Gjyqësor të Bashkimit Evropian (Eurojust), e cila mbikëqyri operacionet, agjenti moldav “zhvilloi dy takime në 2024 dhe 2025 në Budapest, Hungari” me agjentë të KGB-së.

“Objektivi i takimeve të mbajtura në Budapest ishte që i dyshuari të jepte informacion në këmbim të parave dhe të merrte udhëzime të mëtejshme,” tha Eurojust në një deklaratë.

Agjencia shtoi se burri u arrestua duke vlerësuar “rëndësinë e bashkëpunimit transnacional në hetimin e aktiviteteve të tilla keqdashëse”./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›