E Martë, 3 Nëntor 2026

FRANCË – Parisi dëbon 12 diplomatë algjerianë dhe tërheq ambasadorin

PARIS, 15 prill /ATSH-DPA/- Parisi ka dëbuar 12 diplomatë algjerianë në përgjigje të dëbimit të stafit të ambasadës franceze nga Algjeria.

“Presidenti francez, Emmanuel Macron ka tërhequr ambasadorin francez në Algjeri për konsultime”, njoftoi sot Pallati Élysée.

Mosmarrëveshja diplomatike shënon kulmin e tensioneve të vazhdueshme midis vendit të Afrikës së Veriut dhe ish-fuqisë së tij koloniale, Francës.

Shkaku i konfliktit aktual është arrestimi i tre algjerianëve në Francë, duke përfshirë një punonjës të konsullatës.

Ata dyshohet se rreth një vit më parë, kanë rrëmbyer përkohësisht një influencer algjerian në Francë, i cili është kritik ndaj qeverisë në Algjer.

“Franca i kushton vëmendje me shqetësim, vendimit të autoriteteve algjeriane për të dëbuar 12 përfaqësues diplomatikë që shërbejnë në ambasadën tonë në Algjer. Vendimi ishte i pajustifikuar dhe i pakuptueshëm”, tha Pallati Élysée.

Algjeria e justifikoi vendimin me arrestimin e punonjësit të konsullatës.

“Franca do të dëbojë 12 punonjës konsullorë dhe diplomatikë algjerianë”, sipas Élysée.

“Autoritetet algjeriane mbajnë përgjegjësi për përkeqësimin brutal të marrëdhënieve tona dypalëshe”, tha Pallati Élysée.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Parisit, kjo është një dukuri unike – që nga pavarësia e vendit të Afrikës së Veriut në vitin 1962. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›