Lidhje 24-vjeçare bashkëpunimi midis Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit dhe Forcave të Armatosura

TIRANË, 15 prill /ATSH/ Shefi i Shtabit të Përgjithshëm në Shqipëri, gjeneral lejtënant Arben Kingji vizitoi shefin e Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA, gjeneralin Steve Nordhaus në Washington, DC, njoftoi sot Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.
Ambasada bëri të ditur se në këtë vizitë u nënvizuan lidhjet 24-vjeçare të bashkëpunimit të sigurisë midis Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit dhe Forcave të Armatosura Shqiptare përmes programit të partneritetit të Departamentit të Mbrojtjes.
“Kjo marrëdhënie bashkëpunimi për sigurinë ndërmjet aleatëve të NATO-s rrit gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë e forcave tona të armatosura përkatëse për të na bërë më të fortë së bashku”, thekson Ambasada e SHBA. /j.p/