E Enjte, 5 Nëntor 2026

FRANCË – Pjesëmarrja në votime 26,63% deri në mesditë

PARIS, 7 korrik /ATSH-DPA/- Në raundin e dytë vendimtar të zgjedhjeve parlamentare në Francë, pak më shumë se një në katër votues me të drejtë vote – kanë hedhur sot votën e tyre deri në mesditë.

“Pjesëmarrja në votime ishte 26,63% në mesditë”, tha Ministria e Brendshme në Paris.

Në raundin e parë të votimit një javë më parë, pjesëmarrja e përgjithshme ishte 66,71%; ndërsa në mesditë 25,9%.

Në zgjedhjet e fundit të rregullta parlamentare në vitin 2022, pjesëmarrja në mesditë ishte 18,99% në raundin e dytë.

Qendrat e fundit të votimit mbyllen sot në orën 20:00.

Franca voton sot në raundin e dytë dhe të fundit të zgjedhjeve kryesore parlamentare që do të përcaktojnë nëse e djathta ekstreme mund të konsolidojë udhëheqjen e saj dhe të bëhet forca më e fortë në Asamblenë Kombëtare.

Të gjithë sytë do të jenë te nacionalistët e ekstremit të djathtë të Marine Le Pen, Tubimit Kombëtar kundër imigracionit (RN) – nëse ajo do të mund të fitojë një shumicë absolute në Asamblenë Kombëtare, Dhomën e Ulët të parlamentit.

Kjo do të shënonte një pikë kthese në historinë e Francës dhe gjithashtu do të kishte implikime të mëdha për politikën evropiane.

Tubimi Kombëtar u shfaq si forca më e fortë në raundin e parë të votimit, fundjavën e kaluar – përpara aleancës së re të krahut të majtë dhe kampit qendror të presidentit Emmanuel Macron – në vendin e tretë.

Megjithatë, vetëm 76 nga 577 vendet u ndanë në raundin e parë, që do të thotë se kandidatët kryesorë në zonat e mbetura zgjedhore tani përballen në një balotazh.

Sondazhet sugjerojnë se Le Pen nuk do të ketë një shumicë absolute në Asamblenë Kombëtare. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›