KAJRO – Egjipti pret delegacionet izraelite dhe amerikane për bisedimet mbi marrëveshjen e Gazës

KAJRO, 7 korrik /ATSH-DPA/- Egjipti do të presë delegacionet izraelite dhe amerikane për bisedime në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme armëpushimi për lirimin e pengjeve midis Izraelit dhe grupit islamik palestinez Hamas, njoftoi televizioni egjiptian.
Televizioni shtetëror i Egjiptit, Al-Qahera News, duke cituar një burim të nivelit të lartë, raportoi dje në mbrëmje se Egjipti po zhvillon gjithashtu konsultimeme Hamasin si pjesë e përpjekjeve për të arritur marrëveshjen.
Bisedimet indirekte, të cilat SHBA-ja, Egjipti dhe Katari po ndërmjetësojnë, kanë ngecur prej disa javë, ndërsa Hamasi ka këmbëngulur që Izraeli t’i japë fund luftës në Gazë në këmbim të rreth 120 pengjeve ende të mbajtura nga militantët.
Por, Hamasi kohët e fundit ka sinjalizuar një shkallë fleksibiliteti dhe i ka dërguar Izraelit një propozim të ri.
Në fillim të kësaj jave, Hamasi tha se ka shkëmbyer “disa ide” me ndërmjetësit – të cilat janë pritur me një “frymë pozitive” në diskutimet aktuale.
Ekziston një hendek midis kërkesave të të dyja palëve. Hamasi është ende në kërkim të formulimit që do të çonte në një armëpushim të përhershëm në fazën e parë të marrëveshjes së pengjeve, të cilën Izraeli po e refuzon me forcë.
Izraeli ka bombarduar Gazën që kur militantët e Hamasit nisën sulme të paprecedentë ndaj Izraelit në tetor të vitit të kaluar – që përfshinin masakrimin e 1200 njerëzve dhe marrjen peng të 250 personave të tjerë në Rripin e Gazës.
Izraeli beson se rreth 120 pengje janë ende atje, por shumë prej tyre ndoshta nuk janë më gjallë. //a.i/