FRANCË – Sulm kibernetik ndaj 150 supermarketeve, rrezikohen produktet ushqimore

PARIS, 12 tetor /ATSH-AFP/ – Një sulm i përmasave të mëdha në internet ka shkaktuar probleme në sistemet e ftohjes së dyqaneve të disa prej rrjeteve më të mëdha të supermarketeve në Francë, njoftoi sot një zëdhënës i grupit tregtar “Les Mousquetaires”.
Sipas zëdhënësit, hakerat arritën të kalonin frigoriferët dhe ngrirësit e produkteve ushqimore në modalitetin e shkrirjes së akullit gjatë natës.
Ky grup përfshin rrjetet e supermarketeve “Intermarché” dhe “Netto”.
Nga sulmi u prekën rreth 150 dyqane të grupit në të gjithë Francën.
Edhe drejtuesi i grupit “Coopérative U”, Dominique Schelcher, konfirmoi në rrjetin social X se një sulm kishte prekur sistemet e ftohjes në disa prej dyqaneve të tij.
Ai e cilësoi ngjarjen si “të paprecedentë” dhe “të papranueshme”.
Sipas raportimeve të medieve, nga sulmi u prekën edhe rrjete të tjera supermarketesh.
Zëdhënësi i “Les Mousquetaires” tha se sulmi kishte në shënjestër, një kompani daneze që ofron programe kompjuterike për menaxhimin e sistemeve dhe që përdoret nga disa rrjete tregtare ushqimore.
Për shkak të ndërprerjes së ftohjes, shumë produkte ushqimore mund të jenë prishur dhe duhet të hidhen.
Sipas zëdhënësit të “Les Mousquetaires”, ende nuk dihet përmasat e plota të dëmit.
Hetimet për sulmin janë marrë në dorë nga njësia kundër krimit kibernetik e Prokurorisë së Parisit.
Sipas saj, janë raportuar edhe raste zjarresh.
Hetimi synon të identifikojë personat dhe bizneset e prekura nga sulmi, si dhe të përcaktojë nëse ka lidhje mes sulmit dhe dëmeve të raportuara, bëri të ditur Prokuroria e Parisit. //a.i/