FRD: Sondazhi i Ora News është i pavërtetë. Kemi 15 mijë anëtarë në Tiranë
Fryma e Re Demokratike ka reaguar pas një sondazhi të publikuar nga Ora News në bashkëpunim me kompaninë italiane, IPR Marketing.
Sekretari për Çështjet Zgjedhore në FRD, Ervin Karamuço tha se këto shifra janë të pavërteta.
Sipas sondazhit, FRD nuk e merr as dhe një mandat në Tiranë, ndërkohë që ka njohur rënie në rang kombëtar.
Sipas Karamuços, FRD ka 15 mijë anëtarë në Tiranë dhe 80 mijë në mbarë vendin.
Duket se pas shumë tentativash të përsëritura, për të manipuluar zgjedhjet, për të eliminuar partitë e reja me anë të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, duke lënë të bllokuar KQZ pa kuorumin e nevojshëm, duke dështuar sistemet elektronike të zgjedhjeve, duke dubluar listat e zgjedhësve, duke mbledhur kartat e identitetit të administratës, duke hequr njerëz nga puna dhe duke bërë presion edhe nëpërmjet gjobave ndaj biznesit, së fundi kanë gjetur edhe një mekanizëm të ri, i cili është manipulimi i mendjes dhe vullnetit politik të zgjedhësve shqiptare me anë të dezinformimit publik, tha Karamuço.
Partia jone i siguron 15 mijë anëtarët e saj në Tiranë, 80 mijë anëtarët e saj në të gjithë vendin, të gjithë simpatizantët dhe mbështetësit që po shtohen nën frymën tonë çdo ditë se vota dhe vullneti i tyre është i qartë, i dukshëm dhe i garantuar. Askush nuk duhet të guxojë që nëpërmjet psudo-sondazheve të deformojë këtë fluks kaq të madh mbështetje ndaj FRD-së, qoftë dhe nën petkun e kompanive të huaja, vijoi zyrtari i FRD.
Sipas tij, të dhënat tregojnë se FRD do jetë një forcë surprizë në këto zgjedhje, me përgjegjësi të madhe në qeverisjen e nesërme./ep