FRD, takim entuziast në Elbasan, Topi: Abstenimi, sëmundja më e rëndë e demokracisë
Fryma e Re Demokratike prezantoi kandidatët e saj për qarkun e Elbasanit në një takim entuziast. Lista e FRD për këtë qark kryesohet nga Artin Kovaçi, ish-sportist dhe përfaqësues i qytetarisë së vjetër elbasanase.
Kryetari i FRD, Bamir Topi, u tha pjesëmarrësve në takim se 23 qershori është fare pranë.
Ndaj mos qëndroni indiferentë sepse abstenimi është sëmundja më e rëndë e demokracisë, apeloi Topi.
Të kthehemi në ditët e fushatës zgjedhore në një ortek komunikimi me të gjithë banorët për të votuar numrin 66, që është numri i FRD-së në fletën e votimit, vijoi Topi.
Kreu i FRD u bëri thirrje demokratëve të ndershëm të qarkut të Elbasanit duke i ftuar të jenë pjesë e FRD-së, pjesë e një formacioni të vërtetë të së djathtës.
Topi shprehu bindjen se në grupin parlamentar të FRD-së pas 23 qershorit do të ketë edhe përfaqësues nga qarku i Elbasanit. Shqipëria, qytetarët dhe veçanërisht brezi i ri kanë nevojë për një politikë të re që pas ripërtëritjes së parlamentit të ndërtojë një shtet për të gjithë qytetarët, theksoi Topi.
Topi akuzoi kryeministrin duke thënë se ai kërkon të mposhtë mediat e lira.
I them nga Elbasani, kujdes sepse viti 2013 nuk është viti 1973, sot Shqipëria është vend që ka njerëz kurajozë dhe meriton një politikë të re dhe europiane, u shpreh kryetari i FRD-së. Ndërsa Artin Kovaçi shprehu kënaqësinë që kandidon nën logon e FRD-së në zgjedhjet e 23 qershorit.
FRD është për një shtet të fortë dhe demokraci reale, në mënyrë që ti mundësojë Shqipërisë anëtarësimin në Bashkimin Europian, tha Kovaçi./ep