E Shtunë, 31 Tetor 2026

FRD themelon degën e Elbasanit

Fryma e Re Demokratike hodhi një tjetër hap drejt konkretizimit të projektit të saj politik. Sot Fryma e Re Demokratike hapi, mes një mbështetjeje të madhe, degën e saj në Elbasan, në qytetin ku nisi udhëdija, në qytetin e të parës shkollë kombëtare, Normales së Elbasanit.Në qytetin e Kristoforidhit qindra qytetarë të moshave dhe profesioneve të ndryshme mirëpritën alternativën e Frymës së Re Demokratike dhe shprehën mbështetjen e tyre për këtë alternativë.Aktiviteti u organizua në teatrin “Skampa”, ndërkohë që u përshëndet nga Kryetari i Grupit Nismëtar të FRD-së, z.Gazmend Oketa.

“Ne mblidhemi për ti dhënë qytetarëve të Elbasanit një alternativë të re e moderne, e cila do të përfaqësojë të gjithë ata që nuk pajtohen me politikën aktuale të maxhorancës, që ka humbur krejtësisht identitetin dhe besimin e qytetarëve, ashtu dhe të opozitës, e cila ofron gjysmën tjetër simetrike të tablosë politike në vend`- deklaroi nga Elbasani zoti Oketa.

Duke bërë retrospektivë në vitet e tranzicionit, Oketa u shpreh, se “…fatëkeqësisht Shqipëria gjendet dhe sot në një tranzicion të lodhshëm e të pafund, në kërkim të ndërtimit të shtetit demokratik, në një moment ku ëndrra e të rinjve dhe studentëve të sotëm, është identike me atë tonën, 22 vjet më parë”.
 

Më tej takimi u përcoll nga përshëndetjet e qytetarëve, ku student, mjekë dhe mbështetës të tjerë të FRD-së u shprehën të gatshëm ti bashkohen kësaj nisme politike. “Ne duam një politikë ndryshe, ne duam një politikë ku ato premtime që të jepen të mbahen – u shpreh në fjalën e saj Ksenja, studente në UT “Aleksandër Xhuvani”.
 

Serxhio, i sapodiplomuar në Francë, deklaroi se Fryma e Re Demokratike lindi si nevojë për mirëfunksionimin e demokracisë në vend. Artin Kovaci, kordinatori për Elbasanin deklaroi se Elbasani i dijes ka qenë përherë përkrahës i të resë, i idealeve të larta dhe nuk mund të ishte ndryshe dhe në mbështetjen e padyshuar ndaj alternativës së FRD-së.

Takimi i Elbasanit konfirmoi sërish se shoqëria shqiptare ka nevojë për alterantiva të reja politike, të drejta dhe të moralshme dhe ofroi gjithashtu një tjetër mbështetje optimiste për Frymën e Re Demokratike.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›