Beqja: INSTAT fsheh të dhënat, rënia më e madhe

Partia Socialiste ka reaguar pasditen e sotme pas raportit ekonomik të tremujorit të parë të 2012 nga Instituti i Statistikave. Në një deklaratë për shtyp sekretari për programin i kësaj partie, Ilir Beqja u shpreh se raportimet e INSTAT nuk figurojnë të vërteta, pasi sipas tij rënia ekonomike është akoma më e madhe.
Beqja deklaroi se INSTAT po fsheh të dhënat reale, ndërsa i vlerësoi absurde pretendimet e Kryeministrit, për të lidhur motin e keq me rëniet ekonomike. Në këtë kontekst ai shtoi se rëniet në degët e industrisë, ndërtimit ,transporti dhe post-telekomunikacioni kanë 2 vjet që kanë nisur dhe s`kane asnje lidhje me faktorin mot.
“Rënien më të madhe e ka industria me 19,3 %. As Shqipëria superfuqi energjitike sipas Saliut, as rritja e investimeve te huaja nuk mjaftokan që industria jonë të rritet. Ndërtimi ka rënie dyshifrore. Vallë dimri i rëndë e pengoi këtë sektor të mos zhvillohet?! Ndërsa telekomunikacioni plotëson një periudhë 2 vjeçare me rënie të përsëritur çdo tremujor, duke kundërshtuar kështu edhe mrekullinë tjetër të Saliut, atë të Shqipërisë digitale.”- tha Beqja.
Sekretari për programin i PS theksoi se e gjithë kjo situatë është pasojë e politikave të gabuara dhe korrupsionit të kësaj qeverie, ndërsa shtoi se zgjidhje për marrjen fund të kësaj gjendje është PS dhe programi i saj ekonomik për një Rilindje Shqiptare.