FSHF: Besa 4 ndeshje pa tifozë, Elbasani 2 ndeshje
Skuadra e Besës do të luajë 4 ndeshje pa praninë e shikuesve si dhe duhet të paguajë 1 milionë lekë (të reja) gjobë si pasojë e mospërmbushjes së masave të sigurisë së ndeshjes ndaj Skëndërbeut, hedhjes së sendeve të forta në fushë me pasojë goditjen e arbitrit, ndërprerjen e parakohshme të ndeshjes, si dhe fyerjet publike ndaj arbitrave.
Ky ka qenë vendimi i Komisionit të Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit pas incidenteve të ndodhura në takimin e ditës së hënë në ndeshjen Besa - Skënderbeu. Ekipi korçar ka fituar 2-0 në tavolinë takimin, por nuk ka mundur t'i shpëtojë gjobës prej 200 mijë lekësh si pasojë e hedhjes së sendeve të forta në fushë nga ana e tifozëve të tij.
Ndërsa për Besën është ndëshkuar edhe futbollisti Paulin Dhëmbi me tre ndeshje pezullim dhe 100 mijë lekë gjobë, për ofendim të tifozëve kundërshtarë. Ndërkohë, sipas FSHF-së do të shqyrtohen në mbledhjet e ardhshme edhe deklaratat e lëshuara nga drejtuesit e klubeve pas këtij takimi, të cilët rrezikojnë gjoba të mëtejshme.
Komisioni i Disiplinës ndëshkoi edhe ekipin e Elbasanit me 2 takime pa praninë e shikuesve dhe 200 mijë lekë gjobë si pasojë e hedhjes së sendeve të forta në fushë, por pa shkaktuar pasoja në mbarëvajtjen e ndeshjes gjatë takimit ndaj Tiranës.
Edhe ekipi i Tiranës është ndëshkuar me 200 mijë lekë gjobë, për mungese të uniformës së dytë dhe paraqitje me vonesë në ndeshjen ndaj Elbasanit. Edhe Vllaznia duhet të paguajë 200 mijë lekë gjobë si pasojë e hedhjes së sendeve të forta në fushë në momentin e festimit të golit nga ekipi kundershtar.