E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF dënon deputetin Sula dhe kreun e bashkisë së Vlorës

TIRANE-Federata Shqiptare e Futbollit ka dënuar me 4 ndeshje pa tifozë dhe 1.5 milionë lekë gjobë klubin e Bylisit, për shkak të hedhjes së gurëve në ndeshjen me Flamurtarin. Nga ky veprim mbeti i dëmtuar arbitri anësor Ermal Barushi, i cili pësoi një çarje në fytyrë.

Komisioni i Disiplinës në mbledhjen e tij të ditës së mërkurë ka dënuar edhe klubin Shkumbini me 300 mijë lekë gjobë, po për hedhje të sendeve të forta në fushë. Ndërkaq, Federata ka marrë sanksione edhe ndaj pushtetarëve, duke përjashtuar për 8 ndeshje nga stadiumi kryetarin e Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika si edhe deputetin e Peqinit Dashnor Sula.

Gjika do të paguajë edhe 500 mijë lekë gjobë për sjellje të keqe ndaj arbitrave, ndërsa në rastin e deputetit Sula bie në sy fakti se ai është përjashtuar 8 ndeshje për fyerje të arbitrave, ndërkohë që në të vërtetë ai tentoi ta godiste gjyqtarin Albano Janku, që u mbrojt nga policët në ndeshjen Shkumbini-Laçi.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›