FSHF-ja “fsheh” Kuzhenë para mediasIsh-tekniku dymujor i Ruandës, ende nuk është prezantuar nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ceremoni që bosi institucional dhe njeriu me të drejtën ekskluzive për të emëruar njëshi

Edhe pse prej kroati Josip Kuzhe u zgjodh zyrtarisht, më 19 maj, trajneri i ri i Kombëtares shqiptare, e prej tri ditësh ndodhet në Tiranë (nga e shtuna, më 23 maj), ish-tekniku dymujor i Ruandës, ende nuk është prezantuar nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ceremoni që bosi institucional dhe njeriu me të drejtën ekskluzive për të emëruar njëshin e stolit kuqezi e ka bërë me shumë bujë për katër parardhësit e “kumarxhiut”: italianin Xhuzepe Dosena, gjermanin Hans Peter Brigel, kroatin Oto Bariç e para një viti e gjysmë e dhe për holandezin Ari Han.
Në fakt, Josip Kuzhe gjatë një konference për shtyp (15 maj), pas negociimeve paraprake në selinë e FSHF-së, foli hapur me median në rolin e kandidatit zyrtar e potencial për të zëvendësuar Hanin, duke krijuar një raport të parë të pëlqyeshëm me median e pranishme.
Gjithsesi, deklarimet e bashkatdhetarit të Oto Bariçit, ishin të gjitha në kushtëzimin “nëse unë do të isha trajneri i Shqipërisë, do të bëja këtë...”. Ndërkohë që pas zyrtarizimit, askush nuk është në gjendje të thojë secili është në të vërtetë Zoti Kuzhe. Pasi, ai nuk ka folur më, edhe pse ndodhet në Shqipëri e ishte i pranishëm në “Qemal Stafa” për të ndjekur “finalen” e kampionatit midis Tiranës e Vllaznisë.
“Fshehja” e trajnerit të Kombëtares, Josip Kuzhe, brenda ambienteve të Federatës dhe moslejimin e kroatit për të folur përpara medias jashtëzakonisht të interesuar për të dëgjuar objektivat e synimet e tij në prag të ndeshjes me Portugalinë, krijoi një situatë të papritur e të pakëndshme për gazetarët që prisnin prej disa orësh jashtë derës kryesore të selisë së “top-këmbës” shqiptare dhe që nuk arritën të kontaktonin me ish-tranerin e Dinamos së Zagrebit. Një pritje e stërzgjatur që krijoi edhe lojën me “një mijë arsyet” se përse Kuzhe nuk del të flasë për median.
Josip Kuzhe, ndryshe nga bashkëkombasi i tij Oto Bariç, i cili mbërriti në Shqipëri pas një përvojë 40-vjeçare si trajner, me mbi 2000 ndeshje të drejtuara dhe i famshëm për deklaratat e tij kundër futbollistëve homoseksualë (u ndëshkua nga FIFA edhe me një gjobë financiare për këtë), ndodhet në rolin e “breshkës”, që kudo që shkon “merr shtëpinë me vete”. Pra, më pak fjalë Kuzhe mbërriti në Shqipëri (kjo dhe falë shtypit kroat) me “famën një kumarxhiu e borxhliu”.
Koston për të kaluarën “famëkeqe” e trajnerit, duket se ka filluar ta ndjejë tashmë edhe FSHF-ja. Skandali “Kuzhe” sapo ka nisur. Pasi nuk mund të shpjegohet fakti, që FSHF-ja e nxjerr në konferencë shtypi, kur Josipi është kandidat, e nuk ia paraqet medias kur ai është votëbesuar prej disa ditësh si trajner.
E Marte, 26 Maj 2009