Nuri: “Pse zgjodhëm Kuzhen për të drejtuar Shqipërinë”Zëvendëspresidenti i FSHF-së : “Hani nuk hyri dot në zemrat e shqiptarëve”. “Askush përveç tij nuk i pranoi kushtet tona, merr më pak se holandezi”

Lutfi Nuri, një nga dy zëvendëspresidentët e Federatës Shqiptare të Futbollit (tjetri është Bujar Kasmi) dhe shoqërues i bosit të FSHF-së, Armand Duka, në të gjitha bisedimet e këtij të fundit me kanidatët për stolin kuqezi, si në Vjenë ashtu dhe në Tiranë, “zbuloi” disa detaje që çuan edhe në përzgjedhjen e Josip Kuzhes në krye të Kombëtares shqiptare.
Kroati Josip Kuzhe ndodhej ditën e hënë në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit, ku konsumoi një bisedë të gjatë me drejtuesit më të lartë të FSHF-së, përfshirë edhe presidentin Duka, ky i fundit mbërriti disi pak më vonë në zyrën e tij, në raport me Kasmin (i pari) dhe Nurin.
Gjatë një interviste të improvizuar ish-presidenti i Tiranës, Lutfi Nuri, sqaroi argumentet që “folën” në favor të kroatit 26-vjeçar si pasuesi i holandezit Ari Han, i shkarkuar zyrtarisht, më 15 prill pas përformancës së dobët të Shqipërisë në tri ndeshjet e fundit zyrtare në eliminatoret e Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut 2010”.
Trajneri Kuzhe prej disa ditësh ndodhet në Shqipëri, ndërkohë që ende nuk e ka bërë prezantimin e tij zyrtar. A ka ndonjë arsye për këtë?
Normalisht që nuk ka asnjë problem që ai të flasë para medias, por për momentin, të paktën sot (dje) trajneri është duke kryer bisedime të karakterit teknik me drejtuesit e FSHF-së. Një nga çështjet është edhe caktimi i trajnerit të Kombëtares U-21. Kuzhe dëshiron që ai të jetë kroati (Xhemal) Mustedanagiç (aktualisht skaut te Dinamo e Zagrebit). Ai beson se do të jetë më mirë për të. Në fakt, kjo është një linjë që po e praktikojnë shumë ekipe kombëtare në Europë (Bjellorusia, Gjeorgjia, etj.).
Është folur në media se ka pasur kundërshtime nga disa anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së për zgjedhjen e Kuzhesë?
Absolutisht, jo. Nuk është e vërtetë. Nuk ka pasur kundërshtime. Këtë e them me Zot, si ky diell që është lart. Ne kemi qenë të gjithë unanimë në vendimin tonë.
Kuzhe i është përfolur për të kaluarën e tij, në lidhje me pasionin e tij për kumarin. Cili është komenti juaj?
Ai është një trajner i mirë. Nuk do të thotë gjë se ai dikur, mund ta ketë pasur qejf kumarin. Tani se ka më. Unë personalisht shoh aftësinë e tij si trajner. Ne e zgjodhëm atë si më të mirën në këtë zanat për momentin, të paktën nga ata me të cilët ne si Federatë kontaktuam. Për më tepër që ky (Kuzhe) pranoi të jetonte në Shqipëri e me kushtet tona financiare. Për momentin është duke qëndruar në hotel “Rogner”. Më pas, ndoshta do të sistemohet në ndonjë apartament.
Kuzhe u zgjodh midis më shumë se 40 kandidaturave. Përse ai, e jo një tjetër?
Të jeni të bindur askush nga emrat e tjerë që kontaktuam nuk do të pranonte me aq pak para. Duhet të dini një fakt. Kuzhe (merr 10 mijë euro pagë në muaj) do të paguhet më pak se Ari Hani (12 500 euro). Ndryshe nga Oto Bariçi, që njihte edhe psikologjinë tonë, më duhet të theksoj se Hani nuk hyri dot në zemrat e shqiptarëve. Normalisht, mund të ndodhë që edhe Kuzhe mund të dështojë në takimet e para, por ai objektiv të madh ka ndërtimin e së ardhmes së Kombëtares.
Ju keni qenë në bisedimet e Vjenës. A pati ndonjë bisedë edhe me kandidatin tjetër (austriakun) Peter Pakult (trajnerin e Rapidit të Vjenës)?
Po. Për mendimin tim, Pakulti ishte si trajnerët shqiptarë. Ju e njihni futbollin aktual austriak. Si mund të vendosësh një të tillë para një trajneri të shkollës kroate. Ne ndoqëm një ndeshje të Rapidit me Austrinë e Vjenës. Normalisht, dukej një trajner ambicioz, ngrihej nga bankina e u fliste lojtarëve, por aty kuptuam edhe që kurrsesi nuk e meritonte të bëhej trajneri i Shqipërisë. Ishte i zakonshëm. Na u duk pa përvojë. Po të ishte për atë, unë më mirë pranoja të vendosnim në krye Sulejman Starovën se atë. Dhe nuk harxhonim asnjë lek.
Nga ndeshja me Portugalinë kanë mbetur diçka më shumë se dhjetë. Sa në gjendje do të jetë trajneri Kuzhe për të përgatitur takimin?
Dihet kush është Portugalia. Nga ana tjetër, fakti që ai ka kaq pak kohë në dispozicion, nuk është faji i tij, por joni. Ne nuk po arrinim ta gjenim dot një trajner. Në të vërtetë, Kuzhe ka marë edhe një risk me vete. Të jemi koshientë. Është shumë e vështirë të fitojmë me Portugalinë. Në të njëjtat situatë ndodhemi edhe përballë Danimarkës e Suedisë. . Kuzhe do të ndjekë nga afër edhe ndeshjen finale të Ligës së Kampioneve (me Mançesterin luan portugezi Kristiano Ronaldo). Jemi të vetëdijshëm, që në rast dështimi, media do të tregohet e ashpër me Kuzhen. Këtë kosto e kemi marrë parasysh. Gjithsesi, nuk është se nuk kërkojmë pikë ndaj tyre
“Tiranes i jap dhe lidhësen e këpucës”
Tirana nën presidencën e Refik Halilit fitoi të shtunën titullin e 24-t kampion. Por, Ridi (Refiku), sipas një marrëveshje të nënshkruar në fillim të sezonit duhet t’ia lërë radhën donatores Shefikat Ngjela. Familja Nuri (zyrtarisht njihet Avni Nuri) është një prej katër donatorëve bardheblu, përfshirë edhe Agron Papulin. “Unë e përshëndeta Ridin për titullin. Unë jam me të si një vëlla. Normalisht, që do të bëhet një bisedë me Refikun. Sipas radhës tani duhet të vijë Shefikati, ndërkohë që radha e familjes Nuri është në fund, i katërti. Nuk kam thënë kurrë se nuk dua të kontribuoj për Tiranën. Të gjithë e dinë atë që kam dhënë unë për Tiranën. Kam dhënë para edhe kur ishte president Metush Tuksferi për pesë vjet, madje edhe në kohën e luftës (viti 1997) kur mbretëronte automatiku. Tiranën e dua shumë me shpirt, ashtu si fëmija do nënën e tij. Edhe sikur mos kem asnjë lek, lidhësen e këpucës do t’i jap. Unë besoj se tani gjërat shkojnë mirë, nuk ka asnjë sherr mes nesh. Tiranës nuk i them ‘jo’ kurrë”, - tha Lut Nuri.
E Marte, 26 Maj 2009