E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF ultimatum Xhani Laçit: Bashkohuni, ose Partizani përjashtohet

Nga ILIR CARA

Zyrtarët e federatës janë zënë ngushtë me çështjen Partizani, pasi dy aksionarët janë në proces gjyqësor dhe kanë krijuar ekipe. Ministria do të ishte shpëtimi, por nuk pranon

Për të tretin sezon me radhë Partizani kalon vera përvëluese, pasi në vend që të flitet për merkato, strategji dhe ide se si mund të rimëkëmbët  legjenda e kuqe, gjithçka fokusohet se kujt i takon administrimi.

Padyshim që në këtë lojë jo është imi, apo jo është i atij, si gjithmonë kopili i ngelet në derë FSHF-së, pasi është ajo organizatorja e aktivitetit dhe sigurisht është ky institucion që vendos për Partizanin. Të dy aksionarët kanë ndërtuar ekipe që pretendojnë të përfaqësojnë Partizanin në Kategorinë e Parë, por sigurisht vend ka vetëm për një.

Mësohet se federata po bën të pamundurën që të gjejë një kompromis mes dy aksionarëve të kuqë, të cilët kanë një proces të hapur gjyqësor prej më shumë se dy vitesh.

Duke ditur se procesi gjyqësor mes dy aksionarëve është i hapur, duke munguar një vendim final, mësohet se drejtuesit e FSHF-së po mundohen që Xhani dhe Laçi të ulen dhe të gjenë gjuhën e pajtimit dhe të bashkimit, pasi vetëm kështu mund të pretendohet se do të ketë Partizan në sezonin e ri.

Nga burime të ndryshme pranë federatës mësohet se FSHF u ka bërë apel të vazhdueshëm dy aksionarëve të kuq, i cili mund të kuptohet edhe si ultimatum, që ata të bashkohen, ose përndryshe Partizani nuk do të regjistrohet në aktivitet. Këtë lajm e ka pranuar edhe aksionari Paro Laçi, i cili prej javësh ka kërkuar bashkëpunimin me ortakun e tij, kjo vetëm e vetëm në të mirë të Partizanit.

Shpëtimtari Shpëtimtari për federatën do të ishte nëse Ministria e Mbrojtjes do të merrte përsipër përfaqësimin e Partizanit. FSHF ka punuar shumë në këtë aspekt, pasi me këtë zgjidhje shmangte polemikat mes aksionarëve, siç ndodhi një vit më parë.

Përpos përpjekjeve të shumta federata nuk ia ka arritur qëllimit që të bindë ministrinë, e cila nga mbetur e zhgënjyer nga procesi gjyqësor, që kishte të bënte me kthimin e logos.

Kështu për të mos shkuar tek vendimi ekstrem, përjashtim nga aktiviteti, alternativa e vetme që Partizani të përfaqësohet në Kategorinë e Parë është që aksionarët Albert Xhani dhe Paro Laçi të bashkohen sërish dhe  të mos bëhet fjalë për struktura paralele.

Njëkohësisht kemi edhe një interesim dhe komunikim të vazhdueshëm të shoqatës së tifozëve të Partizanit me krerët e federatës, të cilët kanë kërkuar nga FSHFqë të mos e njoh skuadrën e Xhanit, por duhet ta kuptojnë se Partizani i vërtetë është ai që duan tifozët dhe që i shkuan nga pas edhe në Kategorinë e Dytë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›