Merkato e Dinamos orientohet nga jashtë, pritet një sulmues brazilian
Sipas drejtuesve dinamovitë, pritet një merkato aktive, ku flitet për afrimin e një sulmuesi brazilian, si dhe dy të rinj që kanë luajtur me Empolin dhe Olimpiakosin
Dinamo vazhdon të stërvitet në ambientet e kompleksit në Kamëz dhe duket se do të vazhdojë të qëndrojë aty edhe këtë javë. Mirëpo e reja e fundit nga kampi i bluve vjen nga merkatoja e trasferimeve.
Drejtuesit dinamovit kishin premtuar se fundi i korrikut dhe fillimi i muajit gusht do të ishte mjaft aktiv për sa i përket afrimeve në skuadër. Sipas parashikimeve dhe në afatin e përcaktuar bëhet realitet edhe trasferimi i parë. Bëhet fjalë për një brazilian.
Quhet Nilton Detaula dhe pozicioni i tij është ai i sulmuesit qendror. Pas pamjeve filmike nëpërmjet kasetave të takimeve që braziliani ka zhvilluar më parë, stafi teknik i bluve të kryeqytetit ka vendosur ta sjellë atë në Shqipëri.
Pritet që sot, Detaula të mbërrijë në Tiranë, ku edhe do të pritet në aeroport nga përfaqësuesit e skuadrës dhe më pas, në zyrat përkatëse të klubit dinamovit do të vendosin për kushtet e kontratës që do të firmosë lojtari në fjalë.
Sipas trajneri Zhupa, sulmuesi brazilian është një futbollist, i cili me aftësitë e tij mund ti shërbejë Dinamos në realizimin e objektivave për sezonin e ardhshëm. Megjithatë kur të mbyllet gjithçka dhe futbollisti në fjalë të dalë në stërvitje do të mësohet edhe më tepër mbi profilin e tij dhe detajet e tjera të kontratës.
Përveç brazilianit, Dinamo nuk heq dorë edhe nga lojtarët me perspektivë për të ardhmen. Në këtë aspekt, te blutë së fundmi janë afruar dy të futbollistë të rinj emrat e të cilëve do të mësohen në ditët në vazhdim.
Njëri prej tyre ka luajtur në Greqi me Olimpiakosin, ndërsa tjetri me të rinjtë e Empolit. Ata janë vlerësuar edhe nga trajneri Zhupa, që i ka konsideruar si dy prurje mjaft cilësore në skuadrën ë ai drejton.
Përgatitjet Ndërkohë, stafi teknik i bluve vazhdon të zhvillojë stërvitjen e ekipit me dy seanca në ditë. Trajnimi fillon në orën 09:00 dhe punohet me lojtarët që ka në dispozicion trajneri Zhupa, ndërsa seanca tjetër vijon një orë më vonë, pas mbarimit të së parës dhe vazhdohet me seleksionimet e lojtarëve të rinj që mund të jenë pjesë e kryeqytetasve për vitin e ardhshëm.
Këto orare, në të cilat kryen seancat stërvitore nga ana e dinamovitëve janë vendosur dhe përshtatur si pasojë të mënjanimit të temperaturave të larta që janë gjatë orëve të mesditës.
Për sa i përket vendit të stërvitjes mendohet se gjatë kësaj jave blutë të rikthehet në ish-kompleksin Dinamo, por ende nuk ka një datë të përcaktuar, pasi po pritet edhe kthimi nga Londra, i drejtoreshës së Agjensisë së Sporteve, Klodiana Shala, për të rregulluar oraret e stërvitjeve të ekipeve që janë instaluar në këto ambiente.
