E Martë, 3 Nëntor 2026

FSHZH lidh kontratën 1.45 milionë euro për ndërhyrjen në Lagunën e Karavastasë

Një pjesë e Lagunës së Karavastasë, e cila frekuentohet gjerësisht nga turistët, do të pësojë ndërhyrje në funksion të mbrojtjes së saj nga erozioni.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit njoftoi se tashmë ka lidhur kontratën me vlerën 1.45 milionë euro. Ato do të përdoren për ngritjen e modeleve të qëndrueshme SMECO në fshatra me potencial zhvillimi si dhe sistemimin dhe mbrojtja e argjinaturës veriore të lagunës së Karavastasë prej erozionit. 

Kompania fituese Alba Konstruksion do të ketë 12 muaj kohë për të zbatuar fazën e parë të këtij projekti.

Duke qenë një zonë e mbrojtur, materialet që do të përdoren për mbrojtjen e argjinaturës të jenë zgjedhur miqësore me mjedisin. Kurora e argjinaturës të shërbejë si atraksion turistik që të ecin këmbësorët për të shijuar bukuritë natyrore që ofron laguna.

Mbi argjinaturë do të ndërtohen tre tenda pushimi e vrojtimi me material druri, si dhe tre ura po me material druri, që lidhin argjinaturat me njëra-tjetrën në pjesët ku futen në lagunë përrenjtë dhe kanalet e kullimit.

Laguna e Karavastasë ndodhet në qendër të Ultësirës Perëndimore të Shqipërisë dhe bën pjesë në parkun kombëtar të Divjakës. 

Ajo është laguna më e madhe në Shqipëri dhe në gjithë bregdetin jugor të Adriatikut. Laguna është e përbërë prej një lagune të brendshme dhe një lagune të jashtme më të vogël. Tre kanale e lidhin lagunën me detin Adriatik.

Laguna e Karavastasë dhe Parku Natyror i saj janë një ndër destinacionet më të frekuentuara në vend nga vizitorët. Ky park deri në maj mbajti 37 për qind të peshës totale të vizitorëve që frekuentuan Parqet Natyrore.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›