Fabregas do të kthehej në Arsenal

Fabregas më në fund finalizoi transferimin e tij në Nou Camp, gjatë kësaj vere, për një vlerë prej fillimisht 25 milionë funtesh, pas një sage të gjatë disa vite që u përmbyll me rikthimin e 24-vjeçarit te klubi i tij i fëmijërisë.
Fabregas ishte shumë i emocionuar pas largimit nga Arsenali në gusht, ndërsa tani ka bërë të ditur se skuadra nga veriu i Londrës do të ishte klubi i vetëm ku do të kthehej sërish, nëse do të duhej të përfundonte qëndrimin e tij në Barcelonë.
“Nëse do të duhej të largohem nga Barcelona, do të kthehesha prapa në Arsenal, do të bëja kështu”, tha Fabregas për Sky Sports News.
“Nuk turpërohem të them se në ditën e largimit kam mundur vetëm të them ‘Ju faleminderit shumë’, asgjë më tepër. Nuk turpërohem të them se gati kam qarë. Arsene Wenger, kurrë nuk kam takuar një njeri më besnik. Ai është njëri prej më të mirëve”, përfundoi Fabregas.