E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arjan Beqaj: De Biazi është në provën e kohës

/* */

Dash FRASHËRI- Ish-portieri i Kombëtares, Arjan Beqaj (45 ndeshje me kuqezinjtë), tashmë është një trajner portierësh në Qipro, te Anorthosis. Kosovari 36-vjeçar, i cili gjatë karrierës së tij ka luajtur me Lirinë e Prizrenit, Partizanin në Shqipëri, OFIN e Kretës dhe Jonikos në Greqi, si dhe Anorthosis Famagusta, Olimpiakos Nikosia dhe Ermis Aradipu në Qipro, flet për “Telegraf” për përvojën e tij në futboll, por dhe për temën e Kombëtares, përfshirë pasuesin e tij, Samir Ujkani, dhe trajnerin e ri, Xhani De Biazi.
 
Arjan, prej Fillimet e tua sportive në Shqipëri, pas eksperiencës në Kosovë me Lirinë e Prizrenit, janë të Partizani. Si mbërritët te skuadra e kuqe?
Te Partizani erdha në vitin 1994 dhe luajta me atë skuadër për dy vjet e gjysmë. Ishin ish-portierët e shquar të Kombëtares, Mikel Janku dhe Perlat Musta, ata që ndikuan që unë të luaja me Partizanin. Isha vetëm 19 vjeç dhe u bëra ndihmësi i Mustës. Viti i mbrapshtë për shqiptarët, 1997, me detyroi edhe të merrja vendimin të largohesha nga Shqipëria.
Skuadra e parë e huaj e juaja është Ofi i Kretës, me të cilën luajtët deri në vitin 2003. Si u transferuat?
Unë u bëra pjesë e ekipit Kombëtar U-21, me të cilën luajta edhe një ndeshje kundër Portugalisë. Ishte holandezi, Gerhard, atëherë në stolin e Ofit të Kretës, ai që më ofroi të luaja për skuadrën nga Iraklisi. Më duhet ta pranoj se, isha me fat, pasi gjeta një ambient shumë të mirë dhe një trajner që, më ka mbështetur gjatë gjithë kohës. Ishte shumë e rëndësishme, për një futbollist shqiptar në Greqi. Në sezonin 2003-2006, u bëra pjesë e Jonikosit të Athinës.
Qipro është një tjerër stacion i rëndësishëm juaji. Veshët fanellat e tri skuadrave në Ishullin e Afërditës?
Po, Anorthosi Famagusta, Olimpiakos Nikosia dhe Ermis Aradipu, pavarsisht se më të fundit, për shkak të problemeve shëndetsore dhe të dukumenteve, nuk arrita të luaja asnjë ndeshje zyrtare.
Arjan, je bërë i famshëm për një gol të shënuar në Greqi, kur luanit në radhët e Ofit (2000-2001). Si e kujtoni atë gol?
(Qesh). Unë nuk dua të kujtohem më shumë për atë gol, pasi pata një karrierë vërtet të gjatë si portier, 19-vjeçare. Megjithatë, ishte një moment kur ekipi im, Ofi, po humbiste 2-1 me Panathinaikosin, dhe në minutën e fundit të ndeshjes lashë portën dhe dola përpara. Pata fat dhe shënova, ndërkohë që ndeshje përfundoi 2-2.

Në radhët e Anorthosis, ju përjetuat edhe një nga momentet më të mira në nivel ndërkombëtar për klubet. Madje, me kualifikimin në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, në sezonin 2007-2008. Si e konsideroni?
Ishte një moment fantastik. Anorthosis kishte etje për suksese. Fitoi kampionatin në Qipro, eliminoi Olimpiakosin e Pierut në turin eliminator dhe bëri një sezon të bukur në Ligën e Kampioneve, ku në fazën e grupeve luajtëm kundër Interit, Verder Bremenit dhe Panathinaikosit. Përsa u përket aktivizimit tim me skuadrat, ai ishte momenti më i mirë në karrierën time.
Ju keni fituar disa çmime individuale në Qipro, si portieri i vitit.
Qëllimi im nuk ishte të fitoja çmime individuale, por që të fitoja së bashku me skuadrën, tituj dhe trofe. Portieri mund të luajë shumë mirë, por në rast se ekipi nuk ka suksesin, nuk mund të marrësh as çmimet. Këto dy gjëra janë të lidhura me njëra-tjetrën.
Le të kthehemi te ekipi Kombëtar shqiptar. Ju keni qenë pjesë e tij në dy periudha të ndryshme kohore, 1998-2002 dhe 2006-2011. E dyta, ka qenë shkëlqyer, duke vendosur edhe rekord për mospësimin e golit në 500 minuta. Si do ta përmblidhnit aktivizimin tuaj në 45 ndeshje me përfaqësuesen?
Absolutisht, si një ngjarje tepër të madhe në karrierën time. Një eksperiencë që ma ka mbushur si njeri. U largova nga futbolli me përvoja të shumta. Futbollistët jetojnë për suksesin, për ndeshje të mira, por kanë edhe momentet e tyre jo aq të mira. Kjo i ndodh kujtdo, kur ka një karrierë të gjatë.
Beqaj, Shqipëria ka vuajtur për lojtarë cilësore dhe efikase në repartet e tjera, ndërkohë që në portë gjithmonë ka pasur gardianë të mirë, duke filluar nga të vjetrit si Alfred Bonatim Qemal Vogli, Sulejman Maliqati, Koço Dinella, Mikel Janku, Jani Kaçi, Bashkim Muhedini, e për të ardhur te Perlat Musta, Foto Strakosha dhe te ju. Tani portën e Kombëtares e mbron Samir Ujkani. Si do ta vlerësonit pasardhësin tuaj?
Unë kam bindjen se secili portieri që, ka luajtur me ekipin Kombëtar ka dhënë ato që ka pasur. Gjithmonë është munduar të japë më të mirën për ekipin. Edhe Samiri, i cili është portieri i fundit që po mbron portën, të cilën e njoh dhe nga afër, është shumë i talentuar. Sigurisht, që çdo portier në fillim do besim, ka nevojë për mbështetje. Edhe unë në fillimet e mia, dhe secili nga ne, kemi pasur shumë nevojë për të. Portieri është shumë i rëndësishëm, pasi ekipi mësohet me një portier. Dhe kur vjen ndërrimi, atëherë dhe problemet janë të natyrshme dhe të pritshme. Mendoj se Samiri po kalon periudhën e ambientimit. Po e ilustroj me shembullin e Mançester Junaitid: iku Van der Sar dhe De Gea, një portier shumë i ri dhe i talentuar, ende nuk është ambientuar me ekipin.

Arjan, ju keni luajtur për herë të parë me Kombëtaren me trajner Astrit Hafizin, ndërkohë që më pas punuat edhe me të gjithë trajnerët e huaj, Dosenën, Brigelin, Bariçin, Hanin dhe Kuzhenë. Si e shikoni ardhjen e De Biazit në stolin e Shqipërisë?
Italianët janë një shkollë e mirë trajnerësh. Kjo nuk ka diskutim. Janë afër Shqipërisë dhe e njohin pak më mirë mentalitetin tonë. Sigurisht, mendimi im është se zgjedhja e një italiani në krye të Kombëtares është një zgjedhje e duhur. Pastaj, do të jenë rezultatet që do të vërtetojnë se nëse ishte zgjedhje e mirë apo jo.
 
Qipro në revolucion
Qipro është një nga pesë kundërshtarët e Shqipërisë në eliminatoret e Botërorit “Brazil 2014”, së bashku edhe me Norvegjinë, Slloveninë, Zvicrën dhe Islandën. Beqaj punon në Qipro: “Edhe ata na shohin si mundësinë më të mirë për të marrë pikë të plota. Ashtu si te ne, edhe në Qipro, po bëhet ndryshimi i brezave të lojtarëve. Shumë futbollistë veteranë po largohen dhe po vinë të rinj. Mendoj se nuk do të jetë një edicion i lehtë për Qipron”. Aktualisht, Shqipëria ndodhet në vendin e 74-t në FIFA, ndërkohë që Qipro pozicionohet në vendin e 129-të në renditjen botërore ku marrin pjesë 206 ekipe nga i gjithë planeti.
 
Trajner portierësh
Arjan Beqaj i vari “dorezat në gozhdë” në fillim të këtij viti. Tashmë, ai është një trajner portierësh. Por, si e ndjen veten ai në rolin e ri? Beqaj shpjegon: “Edhe në momentin që luaja, unë po e përgatisja veten dalëngadalë për t’u bërë një trajner portierësh. Kisha ikur te dy ekipe në Itali, ndoqa stërvitjet e tyre. Mundohesha të informohesha sa më shumë. Eksperiencat që kam përjetuar më vlejtën shumë. Është një gjë, që më jep kënaqësi. Ngela në fushë, jam afër futbollit dhe kjo është e rëndësishme për mua. Së fundi isha në Irlandën e Veriut, në një trajnim me disa nga trajnerë nga e gjithë Europa. Ishte një përvojë e mirë”.
 
Anorthosis Famagusta
Kosovari punon si trajner portierësh te Anorthosis Famagusta. Beqaj: “Për momentin ndodhemi në vendin e katërt në kampionatin qipriot, por jemi vetëm tri pikë larg vendit të parë. Do të luftojmë për titull dhe sigurisht një vend në Europë. Janë katër ekipe që do të luftojnë për titull kampion në Qipro”.
 
Shqiptarët në Qipro
Në Qipro, përveç Arjan Beqajt, në rolin e portierit ka luajtur edhe Isli Hidi. “Isli tani luan te AEL, ndërkohë që më parë ka luajtur edhe te Alqi”, - tha Beqaj. Në kampionatin qipriot janë aktivizuar edhe Sokol Kushta, Klodian Duro, Altin Haxhi, Ervin Fakaj, Rudi Vata, Arjan Xhumba, Blerim Rustemi, Çlirim Kryeziu.
 
Talenti Aldo Teqja
Te Anorthosis Famagusta stërvitet edhe një portier 16-vjeçar shqiptar, Aldo Teqja. “Është portieri i Kombëtares U-17 të Shqipërisë, që drejtohet nga Xhemal Mustedanagiç, - thotë Arjani. – Është shumë i talentuar. Do punë, por me talentin që ka premton se do të ketë të ardhme të mirë, nëse e merr seriozisht”

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›