Fabrika e ëndrrës së kuqe
Në një intervistë informative, Rainer Rother programues i Retrospektivës në Berlinale 2012 tregon për Mezhrabpom (studioja gjermano-ruse e filmit), zbulimet e rëndësishme që po shfaqen për herë të parë këto ditë në Berlinale, fenomenet novative për kinemanë që vijnë nga vitet 1920-30 nga këto dy vende, dhe vepra pioniere e Fabrikës së Ëndrrës, e cila është venitur në harresë.
Çfarë e nxiti idenë për temën e Retrospektivës së këtij viti?
Retrospektiva e Berlinales ka prezantuar gjithnjë një tablo të përgjithshme të periudhave më pak të njohura të historisë filmike dhe kështu hapi rrugën e zbulimeve. Kjo është e vërtetë edhe për retrospektivën e sivjetshme. Pak njihet raporti i plotë e i ndërlikuar gjermano-rus në këtë fushë gjatë 1920-ës dhe fillimi i 1930-ës me gjithë rolin e rëndësishëm në zhvillimin e estetikave kinematografike. Historianët e filmit Alexander Schwarz dhe Günter Agde, ekspertë të kinemasë sovjeto-ruse, kanë bërë kërkime për një kohë të gjatë mbi studion e filmit Mezhrabpom. Ata zbuluan se një pasuri e larmishme filmike ruhej aty dhe mund të shfrytëzohej. Kështu vendosëm për këtë retrospektivë dhe për një botim gjithëpërfshirës për Fabrikën e Ëndrrës së kuqe dhe bashkëpunimin gjermano-rus.
Traktati gjermano-rus i Rapalos i bashkoi këto forca ndërkombëtare politike. Asokohe Rusia dhe Gjermania përfaqësonin kinematografitë më produktive në Evropë, madje dhe në botë. Si ndodhi bashkëpunimi?
Kjo shpjegohet me vëmendjen që Evropa Perëndimore dhe Gjermania sidomos, ndiqte situatën në Rusi pas Luftës Civile. Ndihma Ndërkombëtare Punëtore u themelua në Berlin si përgjigje për zinë e bukës në zonën e Vollgës. Intelektualë si Karl Kraus kontribuonin me para nga të ardhurat e leximeve të tyre. Në 1922, sipërmarrësi mediatik rus Moisei Aleinikov takoi në Gjermani Willi Münzenberg-un. Inteligjenca e të majtës liberale ndiqte po aq me vëmendje zhvillimet në Rusi. Münzenberg-ut, i quajtur manjati mediatik i Komunizmit, i shkrepi ideja për të krijuar një kompani të përbashkët fillimisht me qëllimin për të prodhuar dokumentarë mbi situatën në Rusi. Me kalimin e kohës, projekti nxiti import-eksportin e filmit. Shkëmbimi ndodhi edhe në nivel individual: Fjodor Ozep, për shembull, punonte si në BS edhe në Gjermani.
Willi Münzenberg i orientoi aktivitetet e tij propagandë kryesisht për nga intelektualët që e mbështetin kauzën, me qëllim që ti çonte para synimet e Internacionales së Punëtoreve. Ai e njihte funksionin e mediumit të propagandës dhe bëri thirrje: për të mobilizuar jo vetëm punëtorët, edhe inteligjencën. Është e saktë të thuash se kjo ide ndikoi në cilësinë e filmave?
Münzenberg ka meritë të madhe për këtë. Te Arbeiter Illustrierten Zeitung, që ai themeloi dhe pati kontributin e fotomontazheve nga John Heartfield, ju shihni se format e përdorura atje e kanë burimin te avangarda. Janë forma gjuhësore krejt të ndryshme nga ato të realizmit socialist, që me klishetë e tij u ngrit në doktrinë. Regjisorët gjermanë dhe rusë kërkonin ti zgjeronin e kufijtë e gjuhës kinematografike. Artistë si Eisenstein dhe Pudovkin, libri i të cilit për montazhin filmik dhe teknikën ishte botuar atëherë edhe në Gjermani, pati mjaft ndikim në diskursin ndërkombëtar në vitet 20-30.
Për çfarë shtrirje të fabrikës së ëndrrës së kuqe mund të flitet? Në krahasim me sistemin hollivudian të yjeve – i cili e çon spektatorin te një gjendje ëndërrimtare ku identifikohet fort me heronjtë – kinemaja sovjetike, e cila bazohej kryesisht në teoritë e montazhit, nxjerr në pah kontrastin e spikatur të modeleve psikologjike.
Teoria e montazhit la gjurmë, mbi të gjitha, te të ashtuquajturit filma revolucionarë. Kishin mjaft sukses në Gjermani në periudhën e Vajmarit dhe një pjesë e mirë e importuar nga Bashkimi i ri Sovjetik, nga kompani si Prometheus, ishin fokusuar te këta lloj filmash. Një nga shembujt më të shquar është Karocata Potjomkin i Eisenstein-it. Mezhrabpom prodhoi filma për revolucionin, edhe filma të animuar, dokumentarë, komedi. Përshtatja me modelin e biznesit të një kompanie të kufizuar gjermano-ruse, i dha Mezhrabpom-it më shumë liri dhe vullnet për të eksperimentuar nga çkishin kompanitë shtetërore sovjetike. Kështu, Mezhrabpom merr rolin e një avangarde: realizon filmin e parë me zë, filmat e parë të animuar, dhe filmin e parë me ngjyra nga BS. Ka kaq shumë për të zbuluar!
Te Mezhrabpom mund ta ndjeje akoma traditën e administrimit privat. Komeditë e studios, vrojtimet e jetës së përditshme dhe ekspeditat e saj filmike mund të merren kategorikisht në konsideratë për ato aspekte që janë vendimtare për konceptin tonë mbi fabrikën e ëndrrës: rëndësia e madhe e zhanreve individuale, regjisorëve dhe aktorëve. Të mrekullueshmit Anna Sten, Boris Barnet te Vajza me kutinë kësulë, patën më vonë një karrierë të dytë në Hollivud. Është i shquari Igor Iljinski, i cili si aktor yll i studios, la gjurmë në komeditë Puthja e Meri Pikfordit dhe Dita e Shenjtit Jorg. Pudovkin që ne e njohim si regjisor mjeshtër, luan përsosur në filmat Kufoma e gjallë, Salamandra, Dezertori. Saktësia e aktrimit një shkollë unikale, si dhe një fushë ku tradita teatrit sovjet ka rol vendimtar gëlonte edhe në këta filma. Fakti që kishte idhuj të tillë, i dha Mezhrabpom-it namin e një Fabrike të Ëndrrës.
Ndryshe nga prodhimet e studiove shtetërore ruse, filmat e Mezhrabpom-it, ishin popullorë, edhe pse janë kritikuar për mëkate ideologjike.
Mezhrabpom-i kishte mjaft liri në zgjedhjen e temave dhe të formës shprehëse. Kjo sdo të thotë se të gjithë kishin sukses. Edhe dështime kishte. Gjatë periudhës staliniste, kjo formë e veçantë e organizimit të kompanive gjermano-ruse, me kalimin e kohës u bënë gjemb në shtatin e regjimit. Sulmet ideologjike ndaj studiove u shtuan deri në atë masë saqë Mezhrabpo-i u likuidua me urdhër të Stalinit në 1936. Ndërmjet 1933-1936, ajo u bë strehë për artistët gjermanë që pasi ikën nga Gjermania, u lejuan të punojnë atje. Erwin Piscator bëri Revolta e peshkatarit dhe Gustav von Wangenheim Luftëtarët. Të dy janë pjesë e kësaj historie.
Veç Tetori i Eisenstein-it dhe Fundi i Shën Peterburgut i Pudovkin-it, studioja kishte në programet e saj edhe një film tjetër për Revolucionin: Aelita. Është një nga filmat e parë të gjatë fanta-shkencë; ai rindërton në mjedise futuriste mësymjen e Pallatit të Dimrit, ashtu siç qe. Stili është i ndikuar nga ekspresionizmi gjerman, dhe motivet do të rimerren shpesh si për shembull te Metropolis i Lang-ut.
Shembulli tregon se sa e zjarrtë ishte dëshira për të eksperimentuar. Ideja e Yakov Protazanov-it për të bërë film për një shoqëri socialiste në Mars, është frymëzuar ndjeshëm nga kësi eksperimentesh dhe përkushtimi për forma novatore. Humbja e ndjesisë nga Aleksandr Andriyevsky ishte, ndoshta, një nga filmat e parë robot në historinë e kinemasë.
Zhvendosja e revolucionit në Mars, mund të shihet si një përshkrim i fshehur i realitetit historik dhe politik në Rusi po ta krahasojmë, ndoshta, me Kabinetin e Dr. Kaligarit i Wiene-s?
Jam i sigurt që ekzistojnë përshkrime të tilla. Për shembull, po të studioni Boris Barnet, i mirënjohur si drejtor ndriçimi në kinema, do të zbuloni se filmi Shtëpia në Trubnaja, është një aluzion total për kufizimet që zotërojnë përditshmërinë sovjete. Barnet luan me fenomenin e Pasunarit të Ri, që shfaqet në prag të Politikës së Re Ekonomike, dhe trajton një sërë problemesh të kësaj natyre në një film që është edhe zbavitës.