Fabrika e municioneve, Kosova marrëveshje me prodhuesin turk

PRISHTINË, 16 dhjetor/ATSH/ Qeveria e Republikës së Kosovës ka nënshkruar sot marrëveshje me prodhuesin shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes “Makine ve Kimya Endüstrisi” për funksionalizimin e fabrikës së municioneve në Kosovë, e cila do të prodhojë kalibra të ndryshëm të municioneve sipas standardeve të NATO-s.
Zyra e Kryeministrit njofton se krahas makinerisë prodhuese, në kontratën e nënshkruar sot, parashihet edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë të caktuar, dhe pajisja me sisteme për testim të cilësisë dhe kalibrim.
“Pas funksionalizimit, Fabrika do të operojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100% vendore e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
“Ne kemi bërë ushtrime bashkë me ushtrinë e Turqisë, kemi blerë pajisje, municione dhe armatime që prodhon Turqia, e tash është koha që edhe të prodhojmë bashkë në vendin tonë”, citohet Kurti në komunikatë në takimin me delegacionin nga MKE që u zhvillua pak para ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes.
/Kosovapress/