Facebook, rrjeti më i preferuar për të rinjt

Pas krijimit të një profili, Facebook mund të përdoret, ndër të tjera, për publikimin dhe shkëmbimin e listave të interesave personale, informatave kontaktuese dhe si mjet komunikimi përmes mesazheve private ose publike.
Facebook njihet si rrjeti më i popullarizuar për shoqërim në internet dhe pavarësisht konkurrencës, ai cilësohet të jetë portali më i përdorur i komunikimit elektronik.
Facebook, i themeluar në vitin 2004, është bërë pjesë edhe e shumë të rinjve në Kosovë.
Mentor Ulluri, 23-vjeçar thotë se e përdor Facebook-un për të komunikuar me shokë, derisa rrjetet sociale tjera, siç është Twiter, thotë se nuk i përdor, pasi që aty përdoruesit janë në numër më të vogël.
“E përdori Facebook-un më shumë. Arsyeja pse e përdori është se aty kam shumë shokë dhe kontaktoj me ta. Është mënyra më e përsosur e komunikimit”, thotë Mentori.
Në fillim të përdorimit të Facebook-ut , njerëzit ishin në dilema për të treguar identitetin e tyre në internet a po jo, por tani një pjesë tregojnë detaje nga më të ndryshme të jetës së tyre.
Burbuqe Thaçi, thotë se për të, Facebook-u është bërë pjesë e pandashme e jetës dhe se aty informohet për të mirat, të arriturat dhe të gjitha gjërat tjera të shoqërisë.
“Sa i përket rrjeteve sociale, si e mbarë bota e përdori Facebook-un ndonjëherë edhe Twiter-in, por nuk jam shumë aktive. Linkat tjerë i përdori për qëllime tjera për t’u informuar kur më duhen, por Facebook-un e përdori nga dëshira”, thekson Burbuqja.
Edhe Arlind Muçiçi thotë se e përdor Facebook-un:
“E përdori më shumë për të kontaktuar me shoqëri. Aty i gjej shokët, për të cilët nuk kam pasur informata se ku gjenden, çka bëjnë etj. Më pëlqen ky rrjet social”.
Për të kontaktuar me shoqërinë, Facebook-un e përdor edhe Ardian Krasniqi:
“Për shoqëri. Kam vënë kontakte me një shok që nuk e kam parë moti”.
Por, ka edhe të rinj që përveç bisedave që i bëjnë me miq, përmes Facebook-ut, e përdorin atë edhe për informata tjera.
Ariana Ferati shprehet:
“Zakonisht e përdori për informim, ka lajme të mira që i postojnë gazetat. Ka gjëra aktuale që ndodhin”.
Disa të rinj shprehen mjaft kritik ndaj portalit më të përdorur për komunikim. Thonë se përdoruesit e këtij rrejti social nuk janë aspak serioz dhe se me këtë portal disa të rinj e keqpërdorin për qëllime të këqija.
Rrustem Tahiri është njëri nga ata të rinj që nuk është përdorues i rrjetit social Facebook dhe që nuk e pëlqen këtë mënyrë të komunikimit me shoqëri.
“Fare nuk më pëlqen Facebook-u dhe asnjë rrjet tjetër social. Unë e kisha bllokuar Facebook-un, nuk më pëlqen fare”, thotë Rrustemi.
Ngjashëm mendon edhe Sabit Seferi:
“Nuk kam kohë të merrem me Facebook. Jam i angazhuar me punë, nuk kam shumë kohë, dhe nuk merrem me internet nuk kam kohë dhe nuk më pëlqen”.
Por, sa gjatë rrinë këta të rinj në Facebook. Mesatarja e qëndrimit në Facebook nga të rinjtë e Kosovës është 2 orë në ditë.
Egzon Shaqiri shprehet:
“Më së shumti qëndroj 3-4 orë në ditë dhe komunikoj me shokë, nganjëherë lexoj ndonjë lajm nga sporti”.
Ndërkaq, Albion Sylejmani thotë se në Facebook qëndron deri në tri orë.
“Facebook-un e përdori. Më shumë e përdori për biseda me shokë, rri nga 2-3 orë ndoshta edhe më shumë”, thekson Albioni.
Për rrjetin social Facebook, janë bërë edhe filma - ndër më të njohurit “The Social Netëork” me regji të David Fincher; janë shkruar poezi e madje janë bërë edhe këngë të tipit të ashtuquajtur tallava. /rel/