E Shtunë, 31 Tetor 2026

Facebook shpall partneritetin ndërkombëtar për lehtësimin e aksesit në internet

NJU JORK- Çdokush meriton të jetë i lidhur me botën, u shpreh sot për rrjetin CNN drejtori ekzekutiv i rrjetit social "Facebook", Mark Zuckerberg, i cili do të hyjë në partneritet botëror me grupe të tjera teknologjike për të mundësuar aksesin në internet për më të varfërit.

"Ky projekt i pagëzuar me emrin 'Internet.org' ka për qëllim të rrisë me 5 miliardë persona numrin e përdoruesve në internet, duke reduktuar në mënyrë drastike koston e shërbimit të internetit në telefonat celularë në vendet në zhvillim", citon komunikata e publikuar sot nga rrjeti social.

Sot vetëm 2,7 miliardë persona, ose pak më shumë se një e treta e popullsisë botërore, kan akses në internet, ndërkohë që numri i përdoruesve të rinj nuk është rritur.

"E gjithë ajo që 'Facebook' ka bërë deri në këto momente është dhënia e mundësisë së komunikimit njerëzve në mbarë botën", u shpreh Mark Zuckerberg, cituar nga komunikata.

"Ka pengesa të mëdha në vendet në zhvillim për t'u lidhur me internetin duke iu bashuar ekonomisë së dijes. 'Internet.org' është një partneritet ndërkombëtar që synon zgjidhjen e këtyre problemeve, mes të cilave ofrimi i internetit për ata që nuk mund t'ia ofrojnë vetes", shtoi themeluesi i rrjetit social "Facebook".
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›