E Shtunë, 31 Tetor 2026

Facebook-u i SB? Jo i mbesës

Në 8 dhjetor 2012, Ditën e Rinisë, kryeministri shqiptar Sali Berisha njoftoi ishte bërë anëtar i rrjeteve sociale. Statusi i parë i tij ishte: “Sapo iu bashkova Facebook! Duket shumë praktik në IPad. Unë do të dërgoj përditësime dhe fotografi dhe mezi pres që të bisedoj me ju. Ju lutem ndani këtë faqe me familjen dhe miqtë tuaj. – sb”. Prej atëherë janë me mijëra postime, foto dhe qindra mijëra komente. Dhe të gjithë kujtojnë se flasin me kryeministrin, se ai i lexon dhe mban shënime për komentet, sugjerimet dhe kritikat që bëhen.

Zyrtarisht, Sali Berisha u rregjistrua në krijesën e Zukenbergut, në 5 dhjetor, siç mund të shikohet kollaj në fund të faqes së profilit të tij. Shumë kohë pasi kishte shprehur ironi dhe vinte në lojë kryesocialistin Rama për përdorimin e Twitterit dhe “ciu ciu”-t e mesazheve që ai shpërndante, në 8 dhjetor, duke u shprehur para studentëve ai thoshte: “Kam një lakmi të thellë, që në Facebook, të jem miku juaj. Të komunikoj me ju, ndaj e zgjodha këtë takim, që të vij tek ju përmes Facebook-ut tim”, transmeton shekulli

Por kush qëndron pas faqes më aktive, më të komentuar, më të censuruar dhe më të sulmuar, me lëvdata mbretërore dhe mallkime që fshihen ende pa u lexuar?

Sajti “Paspërdredhje”, (shih linkun http://pasperdredhje.weebly.com/sb-sbkm.html) shfrytëzoi një postim të 11 majit 2013 për të shkuar te personi që fshihet pas faqen së Facebook të SB dhe solli analizën e mëposhtme, që shpjegon se me kë po flet populli, që kujton se i çon mesazhet te kryeministri i Shqipërisë:

“Në datën 11 maj 2013 në faqen në Facebook-un e Kryeministrit Berisha u postuan disa foto me statistika. Nëse klikohet tek fotot shoqëruese të postimit të 11 majit, (gjë që mund të bëhet edhe sot), do të vihet re se faqja e kryeministrit është një faqe e administruar nga një profil nën emrin "Sali Berishakm". Por cili është personi pas profilit "Sali Berishakm"? Në media është përfolur sikur rri stafi i tij dhe më së shumti zëdhënësja Erla Mëhilli. Profili "Sali Berishakm" nga i cili gjenerohet faqja zyrtare e Kryeministrit "Sali Berisha", nuk përmban asnjë lloj informacioni dhe as foto, dhe nuk pranon as "friends", apo komente, por vetëm mesazhe. I vetmi mik i personit pas profilit është një profil tjetër nën emrin "Dasara Ma". Përderisa nuk ka informacion për profilin "Sali Berishakm" informacionin e jep profili i mikut të vetëm, ai i "Dasara Ma": Ky profil, mik me profilin "Sali Berishakm", administrohet nga Dasara Malltezi, mbesa e Kryeministrit Sali Berisha, vajza e Argita Malltezi. Një gjë e tillë vërtetohet lehtë duke parë një postim të këtij profili: Ky postim përmban një foto të postuar më parë edhe në faqen "Sali Berisha", ku janë mbesa dhe nipi i tij, fëmijët e vajzës Argita dhe dhëndrit Jamarbër Malltezi. Duke pasur parasysh këto fakte bien dyshime të shumta se faqja "Sali Berisha", në të vërtetë administrohet nga një tjetër person dhe jo nga vetë Kryeministri. Ky person nuk mund të jetë as dikush i jashtëm nga familja për shkak të fotove familjare të postuara në këto profile të lidhura midis tyre. Mund të jetë e mundur që profili të administrohet nga mbesa e Kryeministrit ose vetë e bija e tij, Argita. Është i çuditshëm dhe vetë fakti i mungesës së informacioneve normale në profilin "Sali Berishakm", pavarësisht se administron një faqe popullore si ajo "Sali Berisha". Ky është pikërisht dhe fakti që vërteton dyshimet për praninë e dikujt tjetër pas faqes, dhe jo vetë Sali Berishës. Siç e heq veten Kryeministri, si një mjeshtër i rrjetit social Facebook, do të kishte një profil më të pasur se sa profili "Sali Berishakm". Fotoja e mëposhtme bën të besosh që faqja administrohet nga familjarë të tij, që shpesh ngatërrojnë faqen me profilin.

Por gjithsesi, jashtë supozimeve, të paktën tashmë dihet se cili profil qëndron pas faqes "Sali Berisha" dhe populli mund t'i shkruajë lirshëm dhe privatisht (jo më me komente publike) tek ky profil, që deri më tani ka qenë i fshehtë ndaj syve të publikut. Ai është profili: www.facebook.com/sali.berishakm”. I cili nuk funksionon!!!!. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›