Facebook-u premton 1 miliard dollarë investime për gazetarinë

Kompania Facebook premtoi të mërkurën se do të investojë të paktën 1 miliard dollarë në mbështetje të gazetarisë, gjatë tre viteve të ardhshme, ndërsa gjigandi i medias sociale mbrojti qëndrimin ndaj një mosmarrëveshjeje me Australinë lidhur me pagesat për organizatat e mediave.
Nick Clegg, kreu për marrëdhëniet globale, tha në një deklaratë se kompania është e gatshme të mbështesë mediat e lajmeve, por përsëriti shqetësimet e saj mbi pagesat e detyrueshme. “Facebook-u është më shumë se i gatshëm të bashkëpunojë me botuesit e lajmeve,” tha zoti Clegg, pasi Facebook-u rivendosi informacionet mbi lajmet si pjesë të një kompromisi me zyrtarët australianë. “Ne vlerësojmë sigurisht se gazetaria cilësore është në qendër të mënyrës sesi funksionojnë shoqëritë e hapura – duke informuar dhe fuqizuar qytetarët dhe duke vënë para përgjegjësisë të fuqishmit”. Zoti Clegg e mbrojti gjigandin amerikan të mediave sociale në një blog me titull; “Historia e Vërtetë e asaj që ndodhi me lajmet në Facebook në Australi”.Platforma e mediave sociale u kritikua, pasi hoqi faqet e mediave për përdoruesit australianë, si dhe i pengoi ata të ndanin përmbajtjen e lajmeve, në vend që të pranonte zbatimin e ligjit të propozuar. Zoti Clegg argumenton në postimin e tij, se në zemër të polemikave është një keqkuptim në lidhje me marrëdhëniet midis Facebook-ut dhe botuesve të lajmeve. “Botuesit e lajmeve ndajnë artikujt e tyre në rrjetin social ose i bëjnë ato të disponueshme për përdoruesit e Facebook-ut për t’i ndarë me veçori të tilla si hallka të krijuara për të të çuar në faqet e tyre të internetit”, vuri në dukje zotiClegg.
Facebook-u ndihmoi në dhënien e gati 5.1 miliardë “referimeve falas” tek botuesit australianë të lajmeve vitin e kaluar, që vlerësohen sipas zotit Clegg të kapin shifrën e 407 milionë dollarë australianë në fitime për botuesit. “Pohimet – e përsëritura gjerësisht ditët e fundit – se Facebook vjedh ose merr informacione origjinale lajmesh për përfitimin e tij ishin dhe mbeten gjithmonë të rreme,” tha zoti Clegg. “Ne as nuk marrim dhe as nuk kërkojmë informacione lajmesh për të cilat na u kërkua të paguanim një çmim potencialisht të lartë.”
Zoti Clegg tha se për të qënë në përputhje me ligjin, siç ai kishte propozuar fillimisht në Australi, “Facebook-u do të ishte i detyruar të paguante shuma potencialisht të pakufizuara parash për konglomeratët e mediave shumëkombëshe nën një sistem arbitrazhi, që e përshkruan qëllimisht në mënyrë të gabuar marrëdhënien midis botuesve të lajmeve dhe Facebook-ut”.