Fajësojnë Policinë
Pas përleshjes që ndodhi të enjten mbrëma mes Policisë së Kosovës dhe ‘Plisave’ - pas ndeshjes basketbollistike mes Sigal Prishtinës dhe Bambit - grupi i tifozëve prishtinas dhe klubi i tyre kanë lëshuar komunikata për media rreth kësaj ngjarjeje.
‘Plisat’ dhe Sigal Prishtina konsiderojnë se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës pa kurrfarë arsyeje është vërsulur në drejtim të tifozëve, ndaj të cilëve, sipas tyre, ka përdorur forcë të tepruar, ndonëse ndeshja kishte përfunduar në mënyrë të qetë.
“Ne si tifo-grup dënojmë ashpër sulmin brutal të pakomanduar të pjesëtarëve të ashtuquajtur Njësit Special i Policisë së Kosovës me seli në Mitrovicë. Kërkojmë nga organet kompetente ta hetojnë rastin se si këta pjesëtarë, të cilët duhej ta ruanin rendin dhe qetësinë, të hetohen hollësisht për sulmin e tyre brutal dhe tejkalimin absolut të kompetencave dhe dhunës së ushtruar në mënyrë të shfrenuar”, thuhet në komunikatën e ‘Plisave’.
Ata kanë pranuar se para se të niste përleshja mes tyre dhe Policisë, i kanë fyer këta të fundit. Por, ky grup i tifozëve konsideron se një gjë të tillë ua lejon ta bëjë kodeksi i tyre dhe se është e drejtë e pacenuar e lirisë së shprehjes. Nëpërmjet kësaj komunikate, tifozeria prishtinase kërkon të merren masa ndëshkuese ndaj policëve që përdorën forcë ndaj tyre.
Për këtë incident, edhe Sigal Prishtina ka kritikuar veprimin e Policisë, duke shfajësuar tifozët e vet. “Dënojmë ashpër ngjarjet që kanë ndodhur pas lojës. Fatkeqësisht, në rastin pas takimit Sigal Prishtina – Bambi, konstatojmë se Njësia e Policisë (NJSO), që ka qene e caktuar për përcjelljen dhe sigurinë Bambit, ka tejkaluar kompetencat e veta në këtë rast duke ndërhyrë në mënyrë brutale ndaj shikuesve që veç ishin duke e lëshuar Palestrën”, thuhet në kumtesën e kryesisë së kampionit aktual.
Sigal Prishtina i ka arsyetuar brohoritjet dhe fyerjet e ‘Plisave’ ndaj organeve të rendit, duke i konsideruar ato si ‘liri të shprehjes’ dhe duke marrë shembuj edhe sjellje të njëjta të tifozëve nëpër vendet perëndimore me demokraci të shëndoshë.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës po vazhdon ta hetojë incidentin, sikurse forcën që e kanë përdorur trupat e organeve të rendit. “Jemi duke hetuar rastin se si ka rrjedhur incidenti. Jemi duke e hetuar edhe forcën, të cilën e kanë përdorur zyrtarët policorë, për të shikuar se a është tejkaluar masa ligjore e përdorimit të forcës. Pas përfundimit të hetimeve, do të dalim me informata të reja për opinionin”, ka thënë të premten zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Ai theksoi se nëse konstatohet se policët kanë përdorur forcë të tepruar, apo pa nevojë, atëherë ndaj tyre do të ndërmerren masa konform ligjit.
“Çdo zyrtar policor që përdor forcën, në njëfarë mënyre është i obliguar ta plotësojë raportin mbi përdorimin e forcës dhe arsyet e veta të përdorimit të saj. Më pas, stafi menaxhues tregon se a ka qenë forcë proporcionale, e tepruar, apo e panevojshme. Nëse konstatohet se është përdorur forcë pa nevojë, apo është tejkaluar, atëherë ndërmerren masat konform procedurave dhe ligjit në fuqi”, theksoi ai.
Sipas Kelanit, nga ky incident, dy policë kanë pësuar lëndime, derisa një tifoz ka kërkuar ndihmën mjekësore. Ai ka treguar se ka pasur edhe shumë dëme materiale. Sipas tij, tifozët i kanë dëmtuar pesë vetura të Policisë dhe tri vetura të tjera civile. Ndërsa, tifozët kanë tentuar ta djegin një automjet policor, derisa kanë thyer edhe xhama të palestrës.
Kurse, Federata e Basketbollit e Kosovës e ka dënuar Sigal Prishtinën me 200 euro për shkak të hedhjes së disa gjësendeve në parket nga ana e tifozëve të vet gjatë ndeshjes me Bambin. Kurse, edhe trajneri i Bambit, Dashiq është ndëshkuar me 75 euro për shkak se është ndëshkuar me gabim teknik.
Dënohet dhuna
Shpërthimin e dhunës, pas përfundimit të ndeshjes ndërmjet Prishtinës dhe Bambit, e ka dënuar ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell
“Kam dëgjuar për këtë. Është shumë e pakëndshme, por në anën tjetër dhuna në sporte ndodh në shumë vende për shumë arsye të ndryshme”, ka thënë Dell.
Përveç ambasadorit amerikan, dhunën e ka dënuar edhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuqi dhe kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa.
BKT-Superliga – xhiroja e 27-të
E shtunë
K. EuroSport – Mitrovica12:00
Kosova – Trepça19:00
S. Prishtina – Peja18:00
E martë
Bambi – Bashkimi16:00