Kombëtarja e mirëseardhur

Kombëtarja shqiptare ndeshjet si vendase kundër Francës (2 shtator) dhe Rumanisë (11 tetor), në kuadër të kualifikimeve për Euro 2012, ka gjasa t’i zhvillojë në Prishtinë.
Ky lajm ka gëzuar tifozët kosovarë, të cilët bëjnë qindra kilometra për ta përkrahur ekipin kuqezi. Ata premtojnë se do të krijojnë një atmosferë të paparë deri më tani në stadiumet shqiptare, nëse kuqezinjtë luajnë në Prishtinë.
Njëri nga udhëheqësit e Plisave, Albert Kastrati, beson se vetëm me dy grupet që ata bashkëpunojnë, Shfercerat nga Shkupi dhe Fanatikat nga Tirana, do ta mbushin stadiumin e Prishtinës.
“Nëse Kombëtarja do të luajë në Prishtinë, kemi me bo një atmosferë që asnjëherë nuk ka ndodhë deri më tani në stadiumet shqiptare”, ka thënë për Express Kastrati, i njohur si Tigri.
Edhe prijësi i tifozëve vushtrrias, Forca, Valdet Dallku beson se stadiumi i Prishtinës nuk do të ketë kapacitet t’i pranojë të gjithë tifozët e interesuar për ta përkrahur ekipin kuqezi.
“Tifozët kosovarë janë të etur që ta shikojnë një ndeshje ndërkombëtare në vendin tonë, për shkak të izolimit. Nëse Kombëtarja do të luajë në Prishtinë, jam i bindur se stadiumi do të ishte i vogël për t’i zënë të gjithë”, thotë Dallku.
Ndërsa prijësi i Kuqezinjve të Jakovës, Valon Gexha thotë se kudo që luan përfaqësuesja e Shqipërisë si në Preshevë, Janinë, Shkodër apo Prishtinë, do ta kenë përkrahjen e tyre.
“Ideali ynë është një Komb një Kombëtare dhe Kombëtarja shqiptare i përfshin të gjithë. Për ne është e mirëseardhur që Kombëtarja të luajë në Prishtinë. Kam dëshirë të ndodhë kjo dhe ishalla do zoti i plotësojmë kushtet e kërkuara nga UEFA dhe Kombëtarja të luajë midis Prishtinës”, u shpreh Gexha.
Sipas tij, futbolli kosovar është në burgun e UEFA’s dhe se ardhja e Shqipërisë në Prishtinë do të jetë një mundësi e mirë për tifozët kosovarë që të shohin futboll ndërkombëtar edhe yje të futbollit nga afër.
Aktualisht ‘shtëpia’ e kuqezinjve është stadiumi kombëtar ‘Qemal Stafa’. Mirëpo kjo arenë pritet të rrënohet dhe të fillojë ndërtimi i një stadiumi modern, me çka kuqezinjtë duhet të kërkojnë ‘strehim’ diku tjetër.
Pas rrënimit të stadiumit ‘Qemal Stafa’, alternativa e Federatës Shqiptare të Futbollit për t’i zhvilluar ndeshjet Kombëtarja do të jetë stadiumi i Prishtinës. Mirëpo, për ta realizuar këtë, stadiumi i kryeqytetit duhet t’i plotësojë disa kritere të kërkuara nga FIFA e UEFA.
Ndërsa drejtuesit e FC Prishtinës besojnë se me përkrahjen e institucioneve vendore do t’i përmbushin kushtet e kërkuara nga UEFA dhe t’u mundësojnë kuqezinjve që të zbarojnë në Kosovë.