Klina më shumë votues se banorë
Regjistrimi i Popullsisë në Komunën e Klinës ka nxjerrë në pah listën e fryrë të votuesve. Numri i qytetarëve me të drejtë vote e ka kaluar atë të banorëve të regjistruar si rezidentë. Kështu, më i madh del numri i votuesve sesa numri i qytetarëve që jetojnë tash e një vit në Kosovë, e të cilët janë regjistruar.
Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar, në këtë komunë të drejtë votë kanë pasur 38 705 qytetarë, ndërsa numri i përgjithshëm i qytetarëve të regjistruar këtë muaj, i të gjitha moshave, është 38 160 banorë rezidentë.
Arsim Culaj, anëtar i Komisionit Komunal të Regjistrimit, ka treguar se sipas të dhënave të para të grumbulluara pas përfundimit të procesit të regjistrimit, komuna e Klinës ka 38 160 banorë rezidentë. Ndërsa Skender Veselaj, udhëheqës i Komisionit Komunal Zgjedhor në Klinë, pohon se në zgjedhjet e fundit, në listën e votuesve kanë qenë 38 705 qytetarë me të drejtë vote. Ai ka një përgjigje rreth numrit më të madh të qytetarëve në listën e votuesve sesa të regjistruar.
“Këtu duhet të kemi parasysh edhe qytetarët që jetojnë në botën e jashtme. Është një numër shumë i madh që llogariten si banorë jorezidentë. Ata janë në listën e votuesve. Pastaj, megjithëse lista e votuesve është pastruar, ka pasur edhe një numër të qytetarëve të vdekur që kanë mbetur në të”, ka thënë Veselaj.
Arsim Culaj, ndërkaq, thotë se në bazë të informatave që kanë marrë deri tash, numri i qytetarëve të regjistruar si banorë jorezidentë, që ndodhen në botën e jashtme është 12 mijë, që në total i bie se Klina ka 50 mijë banorë.